Futboll

Ronaldo luajti ndeshjen më të dobët te Juventusi, pse Pirlo nuk e ndërroi?

Juventusi nuk shkoi më shumë se barazimi ndaj Atalantës, në një ndeshje ku “heroi” ishte portieri Golini, i cili i priti penalltinë Kristiano Ronaldos, lojtarit që duhet të nxjerrë skuadrën nga vështirësitë në momente të caktuara. Portugezi stonoi në fakt, duke zhvilluar ndeshjen më të dobët me fanellën e Juventusit. Ai u vlerësua me notën 5.

Shumë gabime para portës së Atalantës, shumë i rëndë gabimi nga pika e bardhë, që i mohoi skuadrës së Pirlos fitoren e 5-të radhazi mes kampionatit dhe Championsit. Një ndeshje shumë të keqe luajti edhe Morata dhe kjo bëri që forma e dobët e Ronaldos të binte më shumë në sy. Një herë do të ndodhte për CR7, por tifozët juventinë mund të rrinë të qetë, sepse vështirë që një si ai të paraqitet sërish ashtu.

Ronaldo, pasi humbi penalltinë ndaj Atalantës. Gazeta Si, 17 dhjetor 2020

Nuk ka diskutim që gjuajtësi i penalltive te Juventusi do të jetë Ronaldo, që këtë sezon ka kshënuar 6 herë nga pika e bardhë, 2 herë në “Camp Nou”. Me gabimin ndaj Golinit, penalltitë e humbura nga portugezi janë 4, por në 3 rastet e tjera kishte shkuar më mirë për skuadrën, që kishte fituar apo barazuar. Ka dhe një aspekt që nuk duhet nënvlerësuar: përveç dobësive të dy sulmuesve të Juventusit, ishte mbrëmja magjike e Golinit, i cili “kyçi” portën dhe duket gati e pabesueshme si si Kieza arriti ta kalonte.

Ronaldo ishte dobët deri në minutën e 90-të, por Pirlo vendosi ta mbante në fushë, duke zëvendësuar fillimisht Kiezën dhe më pas Moratën. Me një lojtar tjetër, a mund të shkonte më mirë? Askush nuk di ta thotë me siguri. Dy gjëra janë të sigurta: e para është se një lojtar si Ronaldo edhe në një mbrëmje të keqe nuk hiqet lehtë nga fusha. E dyta ka të bëjë me faktin se sezonin e kaluar, me Sarrin trajner, portugezi e tregoi se nuk i pranon zëvendësimet.

Trajneri ka detyrën të administrojë skuadrën në fushë dhe të ruajë ekuilibrin në dhomën e zhveshjes, ndaj dhe Pirlo, nëse ka marrë atë vendim, ka arsyet e veta. “Nuk mendova ta ndërroja, sepse Morata ishte nervoz, mori të verdhë dhe nuk doja ta humbja sërish për skualifikim. Pastaj, nëse Kristiano do kishte shënuar, gjykimi ndaj tij do të ishte ndryshe”, – ka thënë Pirlo pas ndeshjes. Dyshimi gjithsesi mbetet: çfarë do të kishte ndodhur, nëse Kristiano do linte fushën?


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë