Futboll

Ronaldo ndëshkon dy herë Strakoshën, Juventusi një hap larg titullit

Juventusi mund 2-1 Lacion në ndeshjen përmbyllëse të javës së 34-t të kampionatit dhe tashmë shkëputet 8 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Interi. Kristiano Ronaldo ndëshkoi dy herë Tomas Strakoshën, fillimisht me penallti dhe më pas me portën bosh pas një kundërsulmi të shpejtë bashkë me Dibalën.

Bardhezinjtë vendosin duart te trofeu i titullit kampion, që do të ishte i 9-ti radhazi. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, Juventusi fitoi një penallti me VAR dhe Ronaldo gjunjëzoi Strakoshën, edhe pse portieri kuqezi e kuptoi krahun. Strakosha nuk mund të bënte asgjë në rastin e golit të dytë, pasi u gjend i vetëm përballë Dibalës dhe portugezit, të cilët përfituan nga pasimi i gabuar i Luis Felipes.

Moment nga ndeshja Juventus-Lacio, 2-1. Gazeta Si, 20 korrik 2020

Çiro Imobile ngushtoi diferencën me penallti 7 minuta para fundit, ndërkohë që portieri Shezni i mohoi golin e barazimit Milikoviç-Saviçit. Strakosha është vlerësuar me notën 6 nga shtypi sportiv italian për paraqitjen e bërë në këtë ndeshje.

Lacio vazhdon të humbë terren në renditje dhe tashmë gjendet në vend të katërt, me 69 pikë, kurse Juventusi ka shkuar 80 pikë. Me 2 golat e shënuar ndaj Lacios, Kristiano Ronaldo ngjitet në kuotën e 30 golave, duke kryesuar renditjen e shënuesve më të mirë të kampionatit bashkë me Imobilen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë