Në Dubai, në ceremoninë e “Globe Soccer Awards”, janë ndarë çmime të rëndësishme për botën e futbollit, për të tashmen dhe të shkuarën. Në këtë edicion të 10-të të këtij evenimenti janë vlerësuar shumë kampionë, të zgjedhur me votën e futbollistëve, trajnerëve dhe gazetarëve shumë të njohur në botë. Askush më shumë se Kristiano Ronaldo nuk pasqyron vlerat më të mëdha të futbollit në këtë moment, ndaj dhe portugezi ishte protagonisti i mbrëmjes, me çmimet “Lojtari më i mirë i vitit” dhe “Goli më i bukur”. Ja dhe fituesit e të gjitha kategorive:
“Lojtari më i mirë i vitit” është zgjedhur Kristiano Ronaldo, i cili e fiton për herë të tretë radhazi këtë trofe (e ka fituar 5 herë në total). Portugezi ka mundur Grizmanin dhe Mbapenë. Për këtë çmim, Ronaldo ka falënderuar të fejuarën, fëmijët, miqtë, agjentin Mendes dhe stafin e tij: “Një vit i pabesueshëm dhe jam i lumtur që po fitoj një tjetër trofe, por 2019-a është një vit i ri dhe ëndërroj të fitoj trofe të tjerë me Juventusin. I dua sfidat dhe tani dua të fitoj me këtë fanellë”, – tha portugezi. Ronaldo ka fituar edhe çmimin “Goli më i bukur”, i votuar nga tifozët, të cilët kanë zgjedhur roveshiatën e tij kundër Juventusit, që u duartrokit në “Stadium”.

“Trajneri i vitit” është zgjedhur Didier Deshamp, trajneri i Francës, që u shpall kampione bote. Deshamp la prapa me vota Alegrin, Simeonen, Klopin dhe Zidane. “Çmimin e karrierës” e kanë marrë Zvonimir Boban, Ronaldo dhe Matuidi. Në momentin e marrjes së çmimit, Boban ka bërë edhe pak shaka: “Problemi më i madh është të jesh internist”. I është përgjigjur Ronaldo Fenomeni, i cili ka lëshuar një “Forca Inter!” kur mori çmimin. Të njëjtin vlerësim ka marrë edhe Matuidi, edhe pse është ende në aktivitet.
“Agjenti më i mirë i vitit” është shpallur Horge Mendes. Në skenë është ngjitur Kristiano Ronaldo në këtë rast, duke bërë rolin e prezantuesit. Duke rregulluar mikrofonin, me shaka Ronaldo i është drejtuar Paratiçit, që e kishte aty pranë: “Fabio, jam pak më i gjatë se ty, duhet ta sistemoj”. Më pas ka thirrur agjentin e tij për t’i dorëzuar çmimin. Fabio Paratiçi, drejtori sportiv i Juventusit, ka marrë çmimin “Drejtuesi më i mirë i vitit”, falë transferimit të CR7 në Torino.
“Skuadra më e mirë e vitit” është Atletiko Madrid, që fitoi Europa League. Skuadra e trajnerit Simeone ka fituar konkurrencën me Real Madridin dhe Liverpulin, dy finalistët e Champions Laegue. Është dhënë në këtë eveniment edhe “Çmimi i karrierës për trajnerët”, i fituar nga Fabio Kapelo, i cili ka drejtuar Milanin, Romën dhe Juventusin, si dhe kombëtaret e Anglisë dhe Rusisë. Ai ka zgjedhur si ndeshjen më të bukur finalen e 1994-ës mes Milanit dhe Barcelonës së Krojfit në Athinë. Të gjithë mendonin se ishte e pamundur të mundje katalanasit, por Milani fitoi 4-0.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje