Nëse i kërkon Lionel Mesit një listë emrash të personave që kanë pasur më shumë ndikim në karrierën e tij, me siguri ai do të përfshijë në të edhe Jose Pekerman. Ish-trajneri i Argjentinës e ka aktivizuar i pari në një Botëror, ndaj dhe nuk është befasi që një nga 6 “Topat e Artë” Mesi ia ka dedikuar mësuesit të vjetër.
Për “TNT Sport” Pekerman ka treguar disa histori, kur Mesi ishte ende një djalosh. Ai kujton se nuk ishte aspak e lehtë që Leo të vishte fanellën e Argjentinës. “Praktikisht, ia kemi vjedhur Spanjës. Kishim video, lidhje… Në atë kohë nuk isha trajner i kombëtares, isha te Leganes dhe e pashë të luante me të rinjtë e Barcelonës. Atëherë, nëse luaje me një kombëtare moshash, nuk mund ta ndryshoje atë dhe ne e dinim se Spanja herët a vonë do ta grumbullonte.

Po afronin turnetë e të rinjve amerikanojugorë dhe botërorë, ndaj dhe vendimi i Mesit ishte thelbësor. Ai tha ‘jam argjentinas dhe do të luaj për Argjentinën’. Ishte një zgjedhje zemre”, – kujton Pekerman. Pas ndeshjeve të para me kombëtaret e moshave, në Barcelonë u kthye një tjetër Lionel Mesi.
“Pasi luajti turneun e parë me të rinjtë dhe u kthye në Spanjë, Rajkard e mori të stërvitej me skuadrën e parë. Një ditë më telefonuan nga Barcelona dhe më kërkuan që të flisja me ta, unë u tremba, mendova se do të ankoheshin për diçka. Kur i takova më thanë ‘po çfarë i keni bërë Mesit?’ Nuk dija çfarë të thosha, por më qetësuan menjëherë, duke thënë ‘Është nga një planet tjetër, e dinim, por nuk e prisnim të rritej kaq shpejt. Rajkard kërkon që të marrë menjëherë pasaportën e komunitarit’.
Ata kishin parë që Mesi ishte më agresiv, besoj ngaqë luajti me disa djem që në atë kohë vinin nga divizioni i parë argjentinas, si Aguero, Di Maria, Laveci e ndonjë tjetër. Mesi nuk kishte luajtur në Primera Divizion, por u adaptua shpejt dhe ndryshoi nga ana e temperamentit”, – rrëfen ish-trajneri i Argjentinës.

Në fund, për situatën që po kalon aktualisht Mesi te Barcelona, Pekerman thekson: “Nuk është i lumtur, duket qartë. Kishte vendosur të largohej dhe dukej se nuk do të kthehej prapa. Kishte marrë vendimin e duhur, u kuptua nga gjithçka ndodhi më pas. Ka qenë simboli i Barcelonës për 10 vjet, por të gjithë ciklet herë a vonë mbyllen dhe ka raste që lojtarët më të mirë e vuajnë më shumë këtë gjë. Mendoj se ka ende shumë për të dhënë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje