“E kujtoj gjithmonë finalen e parë në Foro Italico, të fituar ndaj Coria. Argëtim, sakrificë dhe pasion: kështu mund të bëhesh një sportist i madh. Të triumfosh 11 herë në Paris, si unë, nuk është e pamundur, por nuk do të arrij të shoh dikë tjetër ta bëjë këtë”. Fjalë të një kampioni të madh: Rafel Nadal. Tenisti spanjoll ndodhet në Romë për turneun ndërkombëtar dhe ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku tregon për karrierën dhe të ardhmen. Elegant, i disponueshëm dhe madhështor. Rafael Nadal është fitues i 80 turneve, 17 “Grand Slam” dhe 8 herë kampion me Spanjën, por gjithmonë ka disponibilitetin dhe përulësinë e një djaloshi si gjithë të tjerët.
Rafael, ju vini në Romë pa fituar ende një turne në fusha me dhe këtë vit, diçka e rrallë. Si ndiheni?
Nuk habitem, sepse normaliteti nuk është të fitosh gjithmonë. Përkundrazi, ndoshta nuk ishte normale që ajo që kam bërë vitet e mëparshme. Ndihem mirë, në Madrid kam bërë disa ndeshje të mira, edhe pse në gjysmëfinalen ndaj Tsitsipas nuk isha në lartësinë e duhur. Objektivi është të bëj një turne sa më të mirë, si gjithmonë.

Pse keni një ndjenjë speciale me këtë turne ndërkombëtar?
Një turne që e fiton që në pjesëmarrjen e parë dhe pas një finale që zgjat më shumë se 5 orë, ndaj një tenisti shumë të fortë në fushat me dhe si Coria, të mbetet gjithmonë në zemër. Pastaj, e dua Italinë, gatimet e saj, pasionin që më rezervon sa herë vij këtu. Më dhuroni gjithmonë kujtime të paharrueshme.
Kujtoni shpesh edhe fitoren në Foro Italico të 2006-ës ndaj Federer, një tjetër finale që zgjati mbi 5 orë. A ju bëri ajo ndeshje të kuptoni se jeni në po atë nivel me atë që konsiderohej një kampion i paarritshëm?
Natyrisht, një sukses ndaj Federer ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme, por besoj se fitorja e një viti më parë mbetet një nga kënaqësitë më të mëdha të karrierës sime
Pavarësisht se mund të keni pasur ndonjë vështirësi, çdo kundërshtar ka bindjen se në Romë dhe në Paris Nadal është favoriti kryesor…
Është një stimul më shumë për të bërë më të mirën. Duhet të tregoj se në një farë mënyre ata kanë të drejtë (qesh).
Një tenist si ju, që ka fituar 80 turne në të gjitha fushat, përkufizohet si më i forti i fushave me dhe. Çfarë do të thotë kjo?
Është një motiv krenarie, do të thotë se në fushat me dhe kam arritur rezultate të denja për t’u kujtuar gjithmonë. Për mua çdo fitore ka të njëjtën vlerë. Jam i kënaqur që kam një karrierë, ku kam treguar se jam kompetitiv në çdo fushë.

Pas suksesit të parë në karrierë në Roland Garros, keni thënë se në moshën 30-vjeçare e imagjinonit veten larg fushave të tenisit, në barkën tuaj, duke peshkuar. Në qershor mbushni 33 vjeç dhe në horizont nuk duket asnjë tenist me një shpirt kompetitiv si ju…
Për peshk shkoj sa herë që dua. Kam qenë me fat në jetë, po bëj atë që dua. Fiziku im më lejon ende të vazhdoj të kultivoj pasionin për tenisin.
Xhaxha Toni, trajneri juaj historik, na kë thënë se u surprizua që herën e parë kur ju u rikuperuat nga dëmtimi, ndërsa tani i duket diçka normale. Ka një sekret Nadal për t’u kthyer i fortë si më parë?
Asnjë sekret. Sa herë që kthehesh nga një dëmtim, është shumë e vështirë. Në karrierë kam pasur shumë probleme fizike, por ia kam dalë të kthehem të luaj, të luftoj për arritje të reja. Dëmtimet deri tani nuk më kanë penguar të arrij objektiva madhorë dhe shpresoj të më lënë ende kohë që të ndjek iluzionet e mia.
Kur Nadal zgjohet në mëngjes, ndjen të njëjtin pasion si në kohën kur ishte i ri?
Gjërat ndryshojnë, nuk ka dyshim. Kur je i ri, ke më shumë entuziazëm, ndërsa më pas e lejon veten të udhëhiqesh nga përvoja. Ajo që ka rëndësi ka të bëjë me motivimin dhe kur zgjohem në mëngjes, e ndjej veten të motivuar njësoj si ditën e parë që mora raketën në dorë.
Ju në Majorka keni hapur një akademi për fëmijët. Çfarë do t’i thoshit një djaloshi që prezantohet për t’u regjistruar dhe ju thotë se synon të bëhet si ju?
Para së gjithash, do të isha i ndershëm dhe do t’i thosha se është shumë e vështirë. Por do të shtoja se, nëse unë ia kam dalë, është e drejtë që edhe ai të ndjekë ëndrrat e tij, duke pasur gjithmonë parasysh disa vlera thelbësore. Së pari, nuk duhet të humbë kurrë kënaqësinë e argëtimit, së dyti duhet të pranojë vuajtjen, pra sakrificën e punës së fortë, edhe pse kjo mund t’i sjellë dhimbje. Nuk duhet ta konsiderojë kurrë stërvitjen si një peshë të padurueshme, është një e keqe që duhet evituar. Së fundi, duhet të ketë pasion për atë që bën: nëse tenisi nuk i pëlqen për një nga arsyet që rendita më sipër, nuk ecën përpara.

Keni fituar që në moshë të vogël, duke kapërcyer aktivitetin e tenistit të ri, siç po ndodh tani me Sinner apo Alcaraz Garcia. Si përballohet presioni në atë moshë?
Nuk ka një rregull, varet nga ndjeshmëria personale e secilit. Natyrisht, ka të bëjë shumë edukimi që ke marrë në lidhje me raportin me fitoren dhe humbjen, që nuk duhet të kthehen në një fiksim. Pastaj hyjnë në lojë fiziku dhe të dhënat teknike. Nëse ato janë në lartësinë e nivelit që ke zgjedhur të përballosh, duhet të kërkosh gjithmonë më shumë.
Ju ka ndodhur kur takoheni me Federer dhe Djokovic, të flisni për mënyrën si e keni revolucionarizuar popullaritetin e tenisit?
Besoj se është një konkluzion pak i zmadhuar i atyre që e shohin botën tonë nga jashtë. Sigurisht, shumë nga sfidat tona kanë mbetur në memorie dhe kanë kontribuuar për të mirën e tenisit. Me shembullin tonë e kemi respektuar këtë sport.
Për shumë njerëz, të fitosh 11 herë në Paris është arritja më e madhe sportive në histori. Vërtet mendoni se dikush tjetër mund ta bëjë këtë gjë?
Dua të jem i qartë në këtë pikë: nuk mendoj se është normale të fitosh 11 herë në Roland Garros. Përkundrazi, jam i bindur se është një rezultat që vështirë se do të përsëritet, por nëse e kam arritur unë, që jam një person normal që ka zgjedhur të luajë tenis, është e mundur të mendohet se mund t’ia dalë edhe dikush tjetër. Nuk e di, nëse unë do të arrij ta shoh atë person…
Viti 2019 është i veçantë për ju, pasi do të martoheni…
Secili e jeton jetën private me ndjeshmëri të ndryshme, janë momente shumë personale. Sigurisht, jeta ime nuk do të ndryshojë shumë nga kjo që bëj tani.
Le të kthehemi tek akademia, e imagjinoni veten trajner pasi ta lini tenisin?
Është një projekt i rëndësishëm, ku jam përfshirë me gjithë shpirt. Pse jo, mund të kemi një përvojë si trajner.
Nëse pas 10 vitesh del një autobiografi juaja, si do të dëshironit të titullohej?
Rafael Nadal, një person për së mbari.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje