Kur B. B u arrestua për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, rrëfimet e dëshmitarëve që shpjeguan se sherri kishte ndodhur për radhën e tualetit e la pa fjalë policinë e Tiranës.
I plagosuri i quajtur S. D kishte shkuar së bashku me shokët e tij A.ZH dhe I.D për të kaluar një mbrëmje mes miqsh në një lokal pranë Pazarit të Ri.
Gjatë mbrëmjes ata konsumuan alkool e birra e për këtë arsye sipas tyre patën nevojë të shkojnë disa herë në tualet.
I plagosuri dëshmoi se ‘nga ana e kamarierit mu bë me dije se në një moment banja ishte e zënë“.
Sipas tij, ai tentoi të hyjë me forcë mbasi gjendej në situatë të ngutshme dhe gjatë sherrit në radhë, ka ndërhyrë edhe guzhinieri me të cilin janë përleshur.
Por sherre si kjo që precipitojnë në të dëmtuar dhe të plagosur raportohen se janë rritur në masën e 40 përqind gjatë dy viteve të fundit.
Profesoresha për çështjet e psikologjisë sociale Arjana Muçaj thotë për Gazetën “Si” se Covidi është vetëm njëri aspekt i shtimit të agresivitetit tek shqiptarët.
Pjesën më të rëndësishme të kësaj sjelljeje të dhunshme sipas profesoreshës e zë mungesa e edukimit, dobësia e qytetareve për të pasur një qasje të kontrolluar dhe stresi ekonomik.
“Situata ekonomike ku jetojmë, nuk ka siguri për të ardhmen. Kjo i bën njerëzit që të shtyhen dhe të shprehen në mënyrë agresive me njëri tjetrin.
Tjetër aspekt është fakti se shqiptarët nuk e kanë pasur konceptin e pronës, por tani çdo gjë është e lidhur me këtë koncept dhe atij i duket sikur ti i prek territorin, parkimin , hapësirën dhe kjo e nxjerr të frustuar në rrugë.
Si shembull të sjelljes agresive po ju paraqes mungesën e orientimit sipas rregullave.
Dukshëm ne e kemi humbur këtë sens. Askush nuk e respekton semaforin, të tjerë kalojnë vend e pa vend në mes rrugës dhe jo tek vijat e bardha.
Nuk e kemi të qartë sjelljen dhe vetpërmbajtjen sepse mungon ajo formë e edukimit që ka të bëjë me kulturën”.
Teksa një burrë dhe një grua dhunuan njëri tjetrin në Kamëz dhe mbasi secili kërkoi urdhër mbrojtjeje socilologia Mucaj insiston se marrëdhëniet në familje gjenden në një fazë të brishtë.
Kjo për shkak të mos qartësimit të roleve
“Faktori i parë janë prishur modelet, rolet që kemi nga familja në shoqëri, domethënë nëse kemi pasur role të mirëpërcaktuara tanimë i kemi të ngatërruara. Sa më shumë që ngatërrohen rolet, kjo sjell njerëz të pa-orientuar dhe secili nuk e kupton se çfarë i takon tjetrit dhe cilat janë liritë dhe hapësira e tjetrit”
Vetëm gjatë fundjavës ju tha Gazetës “Si” se në kryeqytet u referuan 8 raste dhunë në familje.
5 prej të cilave referuar denoncimeve të grave të dhunuara. Ato si në shumicën e rasteve të raportuara nga Gazeta “Si” vendosen nën presion nga partnerë të alkoolizuar, të papunë që kërkojnë para për të dalë nga banesa.
“Por nëse do numërojmë çdo denoncim vëmë re se burrat e alkoolizuar janë një problem serioz, tradhtia është një tjetër aspekt”, thotë një oficer i rendit për gazetën “Si”, sipas të cilit alkooli dhe tradhtia nuk njeh më moshë.
“Edhe burra të moshuar të alkoolizuar ngrenë dorë ndaj grave të tyre, por gjithashtu vërejmë mbi 50 vjeçarët që denoncohen për dhunë mbasi kanë krijuar lidhje paralele.
Madje në një rast ai e dhunoi gruan në prani të djalit student, i cili reagoi dhe e dhunoi L.P, 57 vjeç.
Të dy babë e bir denoncuan për dhunë njëri tjetrin dhe shkak i dhunës ndaj kryefamiljares ishte një histori e fshehtë e 57 vjeçarit” përmend zyrtari i policisë për Gazetën “Si”
E njëjta problematikë shikohet si dhunë edhe në qasjen ndaj policisë, ndaj të cilës qytetarët shprehen të frustuar.
“Nuk është se jam qytetar i pasjellshëm, dhe më duhet ta them po e kisha shkelur Kodin, nuk kisha vendosur rripin e sigurisë. Por në momentin e parë që e kisha harruar rripin pa e vendosur, një oficer arrogant i Shqiponjave u soll sikur të kisha qenë më krimineli në Tiranë. Pa etikë, i dhunshëm dhe e kallzova” – rrëfen i riu që është njëri nga 40 të arrestuarit e policisë që reagoi.
Kjo dhunë e dy kahëshme e policisë që dhunon nga njëra anë dhe qytetarëve që dhunojnë disa herë ka gjetur përgjigje në gjykatë dhe më tipikja ishte ajo e lirimit në grup e të gjithë protestuesve të rrugës 5 maji, për të cilët gjykata deklaroi se “ policia u kundërshtua mbasi qytetarët po humbnin pronën e tyre”
Për këtë situatë profesoresha e mbyll këndvështrimin e saj me një frazë “Vendi unë ka ligje të forta, por jo efektive”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje