Futboll

Rrëfimi i rrallë/ Një në tre futbollistë bëhet pijanec, por askush nuk flet

Alkool dhe depresion, një binom që nuk premton kurrë asgjë të mirë. Edhe për futbollin, siç vërtetojnë shumë histori kampionësh, të cilët kanë rënë në tunelin e shishes dhe kanë shkatërruar karrierën. Xhorxh Best, Pol Gaskoin, Fabian O’Nill, Adriano, emrat e njohur nuk mungojnë. Por nuk është e thënë të flitet patjetër për ndonjë fund tragjik, apo për lojtarë mbi mesatare.

Shumë “ustallarë” të topit i kanë rrëfyer problemet e tyre pasi e kanë lënë futbollin dhe ka shumë nga ata lojtarë me emër që nuk janë konsideruar kurrë të alkoolizuar, por që shpesh kanë lënë të kuptohet se në momente të caktuara të karrierës së tyre kanë rënë në tunel.

E vështirë të flitet për probleme të tilla, kur lojtarët janë ende në aktivitet, sepse do të krijohej një situatë mjaft e komplikuar për ta si nga pikëpamja sportive, ashtu edhe nga ajo personale. Dhe siç tregon austriaku Martin Hintereger, aktualisht lojtar i Eintraht Frankfurtit, ka shumë kolegë që kanë probleme të tilla. Edhe ai vetë është kapur në situata të tilla, por ka shpjeguar se është vetëm një nga ata që i pëlqen të argëtohet pak dhe jo një pijanec.

Martin Hintereger (majtas) gjate nje ndeshjeje me Eintrahtin. Gazeta Si, 25 gusht 2021

Sipas “Bild”, mesfushori e ka treguar këtë histori gjatë programit “Sport und Talk aus dem Hangar 7”, duke dhënë edhe një përqindje të lojtarëve të alkoolizuar. “Shumë futbollistë profesionistë janë bërë të varuar nga alkooli dhe kanë pasur një rënie të theksuar. Mendoj se janë një e treta e totalit të futbollistëve. Është një numër i frikshëm dhe është diçka, për të cilën gjatë karrierës askush nuk flet”, – ka thënë Hintereger.

Një rrëfim që vërteton shprehjen se paratë jo gjithmonë sjellin lumturinë… “Sa më shumë para të kesh, aq më shumë rritet preokupimi. Më shumë stresohesh dhe aq më shumë nuk je i lumtur. Ka momente të komplikuara, ku mund të përfundosh shumë keq dhe duhet të kërkosh ndihmë”, – shton austrikau. Jo të gjithë e bëjnë këtë dhe sipas mesfushorit, situata përkeqësohet pikërisht për shkak të anës ekonomike.

“Gjithmonë e më shumë persona duan të kenë një copë të tortës dhe ta thonë të tyren në fund. Në futboll qarkullojnë shumë para dhe për këtë arsye për mua është një nga bizneset më të shëmtuar në botë”. Dhe kjo nuk është aspak një deklaratë dashurie për sportin, të cilin Martin Hintereger përfaqëson.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë