Fair play, pasion, gëzim dhe sport në Tokio: nga Barshim dhe Tamberi që ndajnë triumfin te serfisti i sapo mundur që bën përkthyesin e kundërshtarit, nga ngushëllimi për humbësit dhe atletët që ringrihen dhe kalojnë finishin së bashku.
Tamberi dhe Barshim
“Në betimin olimpik kërkoj vetëm një gjë, besnikëri sportive” – thoshte baroni Pierre De Coubertin, themeluesi i Lojërave Olimpike moderne. Dhe ai miks pasioni, fair play-i, gëzimi dhe sporti ka ndezur edhe këtë Olimpiadë. Shikoni si e ndajnë suksesin Gianmarco Tamberi e Mutaz Barshim, ishin baras në një situatë të papërjetuar më parë. Pasi dështuan në 3 tentativa për 2.39, në vend që të shkonin te kërcimi shtesë, vendosën të ndanin medaljen e artë.

“Jam i sigurt që për paraqitjen që kam bërë, meritoj medaljen e artë. Gianmarco ka bërë të njëjtën gjë, e di që e meritonte dhe ai, – ka thënë Barshim. – Kjo shkon përtej sportit. Ky është mesazhi që transmetojmë për gjeneratat e reja”. Pas vendimit, Tamberi përqafoi rivalin: “Ta ndash medaljen e artë me një mik është edhe më e bukur. Është thjesht magjike”, – tha ai.
Serfisti përkthyes
Japonezi Kanoa Igarashi ëndërronte të fitonte medaljen e artë në plazhin ku është rritur, duke bërë serf. Nuk ndodhi, sepse u mund nga braziliani Italo Ferreira në debutimin olimpik të sportit të tyre. Në vend që të rrinte në heshtje dhe i pushtuar nga zhgënjimi, në konferencë shtypi ai i dha një dorë Ferreirës, që nuk flet mirë anglisht. “Faleminderit, Kanoa”, – i tha Ferreira përzemërsisht.

Lotte dhe Claire
“Esenciale në jetë nuk është të fitosh, por të luftosh mirë”, – thoshte po ashtu De Coubertin. Norvegjezja Lotte Miller, e 24-ta në garën e triatlonit, kapërceu zhgënjimin e një vendi larg pritshmërive. Ajo pa belgen Claire Michel të ulur në një qoshe dhe e ngushëlloi për vendin e fundit, 15 minuta pas fitueses Flora Duffy (Bermuda), por që gjithsesi ishte në gjendje të shkonte në finishin e një garë shumë të fortë: 54 atlete në start, 20 nga të cilat kaluan për herë të dytë ose u tërhoqën. “Je një luftëtare, – i tha Lotte belges Claire. – Ky është shpirti olimpik dhe ti e ke 100%”.
Rrëzimi
U kryqëzuan dhe u rrëzuan në gjysmëfialet e 800 metrave Isaiah Jewett (USA) dhe Nijel Amos (Botsvana). Në vend që të nervozoheshin, të ziheshin me njëri-tjetrin, u ngritën së bashku, u përqafuan dhe e mbyllën garën bashkë. Si shumë atletë të tjerë të nivelit të lartë që sfidohen dhe njihen prej shumë kohësh, kanë përjetuar bashkë suksese dhe dështime. Në një edicion Lojërash të zhvilluar me një vit vonesë dhe të shumë pritur nga sportistët, dëshira për t’u kthyer në normalitet dhe për të jetuar bashkë sportin, kalon gjithçka”.

Shaka me ujë
Sapo humbi në grupet e “beach volley”, të shtunën në Shiokaze Park, braziliania Rebeca Silva me shaka i hodhi një shishe uji në shpinë amerikanes Kelly Claes, teksa kjo e fundit po jepte një intervistë pas ndeshjes. Amerikanet kishin mundur Brazilin, por fitueset nisën të qeshnin, duke shpjeguar miqësinë që kanë me brazilianet. “Mezi presim që të përfundojë karantina, kështu mund të ulemi në një tavolinë dhe të darkojmë bashkë. Është e vështirë tani, sepse duhet të qëndrojmë larg”, – ka thënë Sarah Sponcil, shoqe skuadre me Claes.

Leksioni i Caroline
Carissa Moore, kampione olimpike e serfit, ka treguar zakonisht shkon në gara me bashkëshortin dhe të atin. Por në Lojërat me dyer të mbyllura shoqet e skuadrës janë bërë familja e saj, duke nisur nga Caroline Marks, që Moore e konsideronte sportisten për t’u mundur. Moore ka zbuluar se nuk njiheshin mirë para Lojërave të Tokios, por ditën e triumfit, me Caroline jashtë podit, ishte pikërisht rivalja e para që e përgëzoi për medaljen e artë. Siç thoshte de Coubertin: “Duhet të mbretërojë gëzimi dhe qëllimet e mira dhe miqësore, kështu pishtari olimpik do ta vazhdojë rrugën e tij, duke shtuar miqësinë mes kombeve, për të mirën e një njerëzimi gjithmonë e më entuziast, më kurajoz dhe më të pastër”.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje