Bota

Rrihen dhe torturohen dy gazetarë afganë në Kabul, dëshmia tronditëse pas dhunës (Foto)

Dy gazetarë në Afganistan, thonë se janë ndaluar, rrahur dhe fshikulluar nga talebanët, ndërsa përpiqeshin të dokumentonin protestat që shpërthyen në vend.

BBC ka publikuar disa fotografi që qarkullojnë në internet, që tregojnë dy gazetarë nga gazeta “Etilaat Roz” (një nga gazetat kryesore në Afganistan), të mavijosur në trup pas arrestimit të tyre në kryeqytetin Kabul.

Njëri prej tyre, Taqi Daryabi, i tha BBC-së se ai u dërgua në një stacion policie, ku u godit me shkelma dhe grushte. Po ashtu, disa gazetarë të BBC u penguan të punojnë të mërkurën.

Liria e shtypit ishte vetëm një nga premtimet e shumta për epokën e talebanëve të kthyer në pushtet, por regjimi i ri nuk dëshiron të ketë dëshmitarë.

Dy gazetarët e rinj afganë, Taqi Daryabi, një fotograf 22-vjeçar dhe Nematullah Naqdi, një kameraman 28-vjeçar, të cilët donin të ndiqnin një demonstrim të grave që protestonin për të drejtat e tyre para një stacioni policor për gazetën e tyre “Etilaat Roz”, e paguan me rrahje dhe dhunë.

Së pari kërcënimet në rrugë dhe përpjekja për të hequr kamerën – të cilën dy reporterët arritën t’ia dorëzonin fshehurazi një demonstruesi – pastaj ata u tërhoqën në të njëjtin stacion policie dhe u rrahën për orë të tëra.

Në një dhomë të zbrazët, “talebanët filluan të më fyejnë, duke më goditur katër ose pesë persona. Më lidhën duart pas kurrizit, më hodhën në tokë dhe më rrahën me shkopinj, kabllo, tuba, çfarëdo që mund të gjenin. Kisha frikë se ata do të më vrisnin”, – tha Nematullah për AFP.

“Unë bërtisja, vazhdoja të përsërisja se jam gazetar. Por ata më goditën në kokë dhe shpinë”, – vazhdoi ai. “Dhe pasi na rrahën, thanë: ‘Tani e kupton se çfarë ndodh nëse filmon?'”.

Pasi u liruan, të dy u kthyen në redaksi, të zhveshur me dhimbje dhe përpjekje, për të fotografuar kolegët e tyre dhe për t’i treguar botës fytyrën e vërtetë të talebanëve: mavijosje të mëdha në shpinë dhe këmbë, shenja në trup, plagë, madje edhe në fytyrë.

“Situata e informacionit është dramatike, mbi 100 media pushuan së punuari muajin e kaluar”, raporton një raport nga Easo, Zyra Evropiane për Mbështetjen e Azilit.

Për më tepër, “talebanët mbledhin gazetarët afganë shtëpi më shtëpi”, veçanërisht ata që punonin për Shtetet e Bashkuara ose qeverinë e mëparshme afgane.

“Për ata, ne gazetarët jemi armiq”, tha i riu Taqi, i goditur rëndë. Kur ai pyeti talebanët pse po e rrihnin, njëri prej tyre u përgjigj: “Ju jeni me fat që nuk ju kemi prerë kokën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë