Komiteti për Vaksina në Gjermani ka rekomanduar të enjten dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare.
Propozimi për vaksinat përforcuese u është dërguar ekspertëve dhe landeve gjermane për votim dhe shqyrtim të këtij dokumenti.
Gjermania ka thyer rekordin e saj sërish të enjten, 18 nëntor, pasi autoritetet e këtij shteti kanë regjistruar 65,371 raste të reja të infektimit me koronavirus gjatë 24 orëve.
Autoritetet shëndetësore gjermane kanë paralajmëruar se kjo shifër mund të dyfishohet apo trefishohet.
Kjo është hera e parë, prej shpërthimit të pandemisë, që Gjermania regjistron mbi 60,000 raste të reja brenda një dite.
Në të njëjtën kohë, drejtuesi i Agjencisë Robert Koch, që merret me sëmundje infektive, Lothar Wieler, ka paralajmëruar se shifra e vërtetë e infektimeve mund të jetë shumë më e madhe.
Wieler ka thënë se beson që në Gjermani janë të infektuar “dyfish apo trefish”, më shumë persona, sesa që janë duke u raportuar.
“Ne jemi në situatë emergjente. Secili që refuzon ta shohë kështu situatën është duke bërë gabim të madh”.
Ai u ka bërë thirrje liderëve politikë që të marrin veprime të shpejta për të zvogëluar shkallën e infektimit.
“Ne do të kemi Krishtlindje shumë të këqija nëse nuk marrim kundërmasa tani”, ka paralajmëruar Ëieler.
Ai ka shprehur zhgënjim edhe për politikën kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton ky virus.
“Thjesht, nuk është më e durueshme që atë që kam thënë unë me kolegët e mi për 21 muaj, ndoshta nuk po pranohet”.
Wieler ka bërë thirrje për kufizime të kontakteve, mbyllje të klubeve të natës dhe restoranteve, si dhe qasje në restorante dhe hotele vetëm për personat që janë vaksinuar apo shëruar nga COVID-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje