Shqipëria ka bërë një rezervim për vaksinën anti-Covid kur të dalë, nuk do të ketë një mbyllje tjetër të vendit dhe rritje pagash për të gjithë mjekët dhe infermierët në vend.
Këto ishin tre lajmet e prodhuara nga Edi Rama këtë të martë, në një takim me mjekë dhe infermierë të Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare, ku ndodhen të shtruar një pjesë e të infektuarve me Covid-19.
Sa i takon rritjes së pagave, Kryeministri tha se bëhet fjalë për shifra të konsiderueshme. Ai nuk dha një shifër konkrete, por tërthorazi përjashtoi që rritja të jetë më pak se 7 për qind e pagës aktuale. Gjithsesi, Rama premtoi se brenda dy javëve Qeveria do të vendosë për nivelin e rritjes së pagës, që parashikohet të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.
“Duam që të realizojmë një rritje pagash që të jetë shumë e konsiderueshme, jo 5 apo 7%. Duam të bëjmë një rritje të konsiderueshme. Jemi duke bërë kalkulimet, por ne duam që në aspekt të pagës, përtej bonusit që merrni, po flasim për të gjithë mjekët edhe infermierët në të gjithë Shqipërinë që të jemi në një nivel në mesataren e lartë të rajonit. Kjo është ambicia”, tha Rama.
Në lidhje me vaksinën anti-Covid, Rama tha se Shqipëria ka bërë një rezervim paaraprak dhe do të shihet në vazhdim procesi kur të dalë, duke iu përgjigjur kështu një kërkese të Lulzim Bashës, që pak ditë më parë kërkoi nga Qeveria që të rezervojë vaksinën duke ndarë fondet përkatëse për të.
Rama përjashtoi mundësinë e një tjetër izolimit të vendit.
“Virusi nuk ka ardhur për të ikur për 4 muaj, por është këtu për një periudhë që nuk dihet sa do të zgjasë. Duhet të mësohemi me këtë dinamikë të re. Nuk mund të zgjedhim mbylljen dhe izolimin si opsion të vazhdueshëm, pasi sjell dëme dhe shkatërrime të një natyre tjetër, që kanë kosto në aspektin ekonomik, por edhe psikologjik”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje