Nëse do të ndjekim një ditë rutine fushate në vend, do të kuptojmë më së paku se fushata e zgjedhjeve të 14 majit është krejtësisht atipike, që nuk e lidh në thelb me lokalet, përveçse me ato parlamentare.
Duke nisur nga sloganet “Kurrë pas, vetëm përpara” ai i opozitës “Ndryshimi në duart e tua”, apo “Frymëmarrja për Shqipërinë”.

Gjithçka që lidhet dhe fshihet pas këtyre mesazheve është veçse politikë e përsëritur ku shumë kush mund të mendojë se në fletën e votimit do të votojë veçse për Ramën, Berishën apo Metën.
Një fushatë e polarizuar me mesazhe denigruese dhe konotacion negativ dhe po aq edhe spotet publicitare.
Pa folur pastaj për kolonat zanore të fushatës ku dallon kënga me motive tallavaje e PS “Vetëm përpara”, por pas krahasuar me këngën e parë të Edi Ramës në fushatën për Bashkinë “Tirona”

Një fushatë lokale ku nuk mbizotëroi kandidati për bashkinë, llogaridhënia, premtimet, çfarë nuk u bë mirë këto katër vite, por figura e liderit. Nga PS-ja Edi Rama, koalicioni “Bashkë Fitojmë” Sali Berisha e nga PD-ja zyrtare Enkelejd Alibeaj.
Nuk pati asnjë banderolë deri javën e fundit të fushatës të kandidatëve të PS-së nëpër qytete.
Në qendër të vëmendjes Edi Rama.

Vetëm javën e fundit, Edi Rama ka ’ndarë’ tabelat elektorale me kandidatet në bashkitë kryesore, duke filluar me Erion Veliaj e Emiriana Sakon për të zbritur më në jug apo veri. Një mesazh për të thënë se është sërish ai, pastaj vijnë kandidatët për bashkitë.
Mbizotëroi gjithashtu fushata negativiste.
Sali Berisha që i futi të gjithë në thes kandidatët e PS-së si “hajdutë” dhe Edi Rama që nuk pati qoftë edhe një fjalë kritike për 60 bashkitë e drejtuara nga PS-ja.

Vuri në shënjestër gjatë gjithë fushatës vetëm Shkodrën në nivel lokal, bashki që vijon të drejtohet nga të djathtët.
Për herë të parë në këtë fushatë nuk pamë asnjë debat të drejtpërdrejtë mes kandidatit të PS-së dhe opozitës.

Sali Berisha fajësoi PS-në se nuk duan të dalin në debat, ndërsa stafi i PS-së refuzoi me argumentin se nuk duan të faktorizojnë kundërshtarin.
Nuk u pa qoftë edhe një takim ‘live’ (jo liderëve se ai ishte me bollëk, ku flisnin vetëm ata dhe të tjerët dëgjonin me regji qendrore) por i vetë kandidatëve për bashkitë.
Takime të orkestruara nga qendra aspak spontane, PS-ja duke mbushur fushat me karrige nga Tirana, Berisha duke mbushur sallat e vetëm ditët e fundit duke dalë në shesh e Ilir Meta duke pronotuar me bollëk lokalet nëpër Shqipëri.


Sa për kandidatët, për ata asnjë përshtypje reale. Të gjitha takimet të regjistruara dhe të pasqyruara gjerësisht në rrjetet sociale. Këtij fenomeni iu mëshua shumë edhe pse sondazhet nëpër TV nxirrnin si burim të parë informacioni televizionet, takimet në bazë dhe vetëm 20% rrjetet sociale.
Mbizotëroi sërish kaseta, asnjë njoftim paraprak për një takim të planifikuar ku mund ta ndiqte edhe media, fundja një ballafaqim mes kandidatit dhe qytetarit.
Televizionet në vend u mbizotëruan nga uniformiteti ku nuk dallonte njëra nga tjetra përveçse nga minutazhi që i lihej njërit apo tjetrit kandidat. Dikush i detyruar nga ligji, dikush tjetër nga interesa klienteliste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje