Futboll

Rugani pozitiv me Koronavirus, Juventusi dhe Interi në karantinë

Daniele Rugani ka rezultuar pozitiv me Koronavirus, duke bërë që Juventusi dhe Interi të përfundojnë në karantinë. Është lojtari i parë i Serisë A i infektuar nga virusi që po pushton gjithë botën, pas disa rasteve të evidentuara në kategoritë inferiore të futbollit italian. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga vetë lojtari, por edhe nga klubi i Juventusit. “Futbollisti Daniele Rugani ka rezultuar pozitiv me Koronavirus. Juventusi po ndjek të gjitha procedurat për izolimin sipas rregullave, duke përfshirë të gjithë personat që kanë pasur kontakte me të”, – shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit bardhezi.

Janë lajmëruar të gjitha skuadrat, me të cilat Juventusi ka luajtur javët e fundit për të ndjekur procedurat përkatëse. Rugani ka luajtur titullar me Breshian më 16 shkurt dhe me Spalin e Etrit Berishës më 22 shkurt, më pas ka qëndruar në stol ndaj Lionit në Champions më 26 shkurt dhe ndaj Interit më 8 mars. Lajmi i Ruganit me siguri do të reflektohet në zgjedhjen e UEFA-s në prag të ndeshjes së kthimit mes Juventusit dhe Lionit në Champions dhe ndeshjes së Interit me Getafen në Ligën e Europës.

Rugani duke efstuar me Juventusin fitoren ndaj Interit. Gazeta Si, 12 mars 2020

“E keni lexuar tashmë lajmin dhe për këtë dua t’i qetësoj të gjithë ata që janë të shqetësuar për mua. Jam mirë. I ftoj të gjithë të respektojnë rregullat, sepse ky virus nuk bën dallime. Ta bëjmë për veten tonë, për të gjithë të dashurit tanë dhe për këdo që na rrethon”, – shkruan Rugani në Tuiter.

Postimi i Daniele Ruganit në rrjetet sociale. Gazeta Si, 12 mars 2020

Një reagim zyrtar ka pasur edhe Interi, që bën të ditur pezullimin e çdo aktiviteti deri në një vendim të dytë. “FC Internazionale Milano bën me dije se pas njoftimit të Juventusit në lidhje me infektimin e futbollistit Daniele Rugani nga COVID-19, pezullon çdo lloj aktiviteti deri në një vendim të dytë. Klubi është aktiv për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme”, – shkruhet në njoftimin e klubit zikaltër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë