Gazeta Si – Ministria e Mbrojtjes në Moskë, ka thënë se një aeroplan luftarak rus, e ka bombarduar aksidentalisht qytetin rus Belgorod, i cili gjendet në kufi me Ukrainën.
Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se shpërthimi ka krijuar një krater të madh, rreth 20 metra gjerësi, në qendër të qytetit.
Dy gra janë plagosur dhe disa ndërtesa janë dëmtuar, ka thënë ai. Incidenti ka ndodhur në orët e vona të së enjtes, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Hetimet për këtë rast, është thënë se janë duke vazhduar. Fotografitë dhe videot në rrjetet sociale kanë shfaqur banesa të dëmtuara nga shpërthimi, derisa në një tjetër, një makinë shihet mbi çatinë e një ndërtese.
Belgorod – qytet me 370.000 banorë – është rreth 40 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Ky qytet është në veri të qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, Harkivit.
Banorët e asaj zone jetojnë nën frikën e bombardimeve, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.
Kjo pasi aeroplanët luftarakë rusë fluturojnë shpesh mbi hapësirën ajrore të këtij qyteti, për të arritur në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje