Ushtria ruse tha më 22 shtator se të paktën 10.000 persona kanë dalë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë, rreth 24 orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi mobilizimin e rezervistëve.
“Gjatë ditës së parë të mobilizimit të pjesshëm, afër 10.000 qytetarë kanë arritur në qendrat e rekrutimit, me vullnet të lirë, pa pritur që të thirreshin”, tha për Interfax zëdhënësi i ushtrisë ruse, Vladimir Tsimlyansky.
Ai shtoi se ushtria ka krijuar qendra të thirrjes për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve dhe organizatave lidhur me mobilizimin.
Më 21 shtator njoftoi për shpalljen e “mobilizimit të pjesshëm” të rezervistëve. Më pas, ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu tha se do të thirren 300.000 rezervistë për luftën në Ukrainë.
Pas njoftimit të Putinit, mbi 1.300 persona u arrestuan në mbarë Rusinë të mërkurën, gjatë protestave kundër mobilizimit.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Putin, i cili pushtimin e quan “operacion të posaçëm ushtarak”, më 21 shtator përsëriti qëndrimin se synimi i tij është “çlirimi” i rajonit lindor ukrainas të Donbasit.
Shpallja e mobilizimit erdhi një ditë pasi separatistët në katër rajonet e kontrolluara nga forcat ruse në Ukrainë – Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja – njoftuan për planet për mbajtjen e të ashtuquajturave referendume për bashkim me Rusinë.
Votimet në të ashtuquajturat referendume do të nisin më 23 shtator dhe do të zgjasin deri më 27 shtator. Kievi dhe Perëndimi i dënuar planet për këto votime, ndërkaq shpalljen e mobilizimit e kanë cilësuar si përshkallëzim të luftës në Ukrainë, që pothuajse ka hyrë në muajin e tetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje