Bota

Rusia dhe Bjellorusia nisin stërvitjet e përbashkëta ushtarake në kufi më Ukrainën

Gazeta Si – Rusia dhe Bjellorusia kanë nisur stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të cilat do të zgjasin 10 ditë. Një veprim që rrit shqetësimet ndërkombëtare në lidhje me grumbullimin e forcave ruse në kufijtë e Ukrainës. Stërvitja “Union Resolve 2022”, do të përfundojë më 20 shkurt.

Sipas NATO-s, ky është dislokimi më i madh ushtarak i Rusisë në ish-Bjellorusinë Sovjetike që nga Lufta e Ftohtë. Shtëpia e Bardhë i quajti stërvitjet një “përshkallëzim” të tensioneve mbi Ukrainën.

Valery Gerasimov, shefi i shtabit rus, mbërriti në Bjellorusi për të mbikëqyrur stërvitjet. Rusia ka zhvendosur deri në 30,000 trupa, dy batalione të sistemeve raketore tokë-ajër S-400 dhe luftëtarë të shumtë në vend për manovra të përbashkëta ushtarake. Imazhet satelitore tregojnë se shumica e aseteve ushtarake janë zhvendosur në vende afër kufirit me Ukrainën.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi. Por disa vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara tëAmerikës, kanë paralajmëruar se një sulm rus mund të ndodhë në çdo kohë.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar është gati të vendosë 1.000 ushtarë të tjerë në rast të një “krize humanitare” të lidhur me tensionet në Ukrainë, njoftoi kryeministri britanik Boris Johnson, i cili në prët në vijim do të udhëtojë në Bruksel dhe Varshavë.

“Aleanca duhet të vendosë vija të sakta dhe duhet të jetë e qartë se ka disa parime mbi të cilat ne nuk do të bëjmë kompromis”, – tha lideri britanik në një deklaratë, duke përmendur “sigurinë e çdo aleati (brenda) të NATO-s dhe të drejtën e çdo demokracie evropiane të aspirojë të anëtarësohet në NATO”.

Mbretëria e Bashkuar kishte njoftuar këtë javë vendosjen e 350 trupave shtesë në Poloni, përveç njëqind trupave tashmë të pranishme në territorin e saj.

Boris Johnson, i cili vizitoi Kievin këtë javë, i tha Moskës: “Ajo që duhet të shohim, është diplomacia e vërtetë, jo diplomacia shtrënguese”.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka mbërritur në kryeqytetin rus për të takuar homologun e saj Sergei Lavrov dhe për të inkurajuar “fuqishëm” Rusinë që të përfshihet në procesin diplomatik.

Ministria e Jashtme ruse u përgjigj duke kërkuar një “ndryshim të tonit” nga pala britanike, pa të cilën “çdo ndërveprim produktiv është i pamundur, si për zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe ndërkombëtare”.

Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron patën një bisedë telefonike për takimet e fundit të Macron në Rusi dhe Ukrainë.

Të dy “folën gjithashtu për përpjekjet e vazhdueshme diplomatike dhe parandaluese, të ndërmarra në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë, në përgjigje të ngritjes së vazhdueshme ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë