Bota

Rusia i rikthehet marrëveshjes së grurit

Rusia deklaroi të mërkurën (2 nëntor) se do të rifillojë të marrë pjesë në marrëveshjen për të lehtësuar eksportet e grurit nga Ukraina, pak ditë pasi vendosi ta pezullonte atë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte marrë garanci me shkrim nga Kievi që nuk do ta përdorte korridorin e grurit në Detin e zi për veprime ushtarake kundër Rusisë. 

“Federata Ruse vlerëson se garancitë e marra në këtë moment duken të mjaftueshme dhe rifillon zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në deklaratë.

“Falë pjesëmarrjes së një organizate ndërkombëtare (OKB-së), si dhe ndihmës së Turqisë, u bë e mundur të merren garancitë e nevojshme me shkrim nga Ukraina për mospërdorimin e korridorit humanitar dhe porteve të Ukrainës, të cilat janë identifikuar në interes të eksportit të produkteve bujqësore, për të kryer operacione ushtarake kundër Federatës Ruse, të cilat u dërguan në qendrën e përbashkët koordinuese më 1 nëntor 2022″, tha ministria ushtarake ruse në një deklaratë. 

Rikthimi i Rusisë u paralajmërua nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Turqia ishte ndërmjetësuese në arritjen e marrëveshjes së 22 korrikut që zhbllokoi grurin, mungesa e të cilit përbënte kërcënim për ushqimin e miliona njerëzve në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë