Politike

Rusia letër Shqipërisë: Jemi gati t’iu sjellim vaksinën

Pas Serbisë dhe Hungarisë, Rusia ka bërë të ditur sot se është e gatshme për të sjellë vaksinën “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Ambasada e Rusisë në Tiranë ka njoftuar qeverinë shqiptare se Rusia ka marrë autorizimin për të negociuar me vendet të cilat janë të interesuara të sigurojnë vaksinën kundër koronavirusit.

Postimi në Facebook i ambasadës ruse i drejtohet Endri Fugës, drejtor i komunikimit në Kryeministri, duke e vënë në dijeni se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër Covid-19.

“Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri”, shkruan letra e publikuar nga ambasada. “Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera”, përfundon ajo.

Letra e Moskës vjen pasi kompania biofarmaceutike britanike-suedeze AstraZeneca tha se do të provojë vaksinën e saj Covid-19 në kombinim me vaksinëm ruse pasi shkencëtarët rusë muajin e kaluar treguan që kombinimi i dy preparateve mund të rrisë efektivitetin e saj.

Mbështetësit financiarë dhe zhvilluesit e vaksinës ruse për koronavirus, Sputnik V, kanë thënë se dy dozat e nevojshme për vaksinim të një personi do të kushtojnë “më pak se 20 dollarë” në tregjet ndërkombëtare derisa në Rusi do të jenë falas.

Çmimi në tregun ndërkombëtar për Sputnik V është më i lirë sesa ai i vaksinave të rivalëve perëndimorë sikurse vaksina e prodhuar nga Pfizer, e cila kushton më shumë se 18 dollarë për një vaksinë.

Megjithatë, vaksina ruse është shumë më e shtrenjtë sesa ajo e prodhuar nga AstraZeneca, e cila në Europë do të shitet për 3 dollarë.

Fondi sovran i pasurisë në Rusi, ka thënë përmes një deklarate se Moska dhe partnerët e saj të huaj, kanë kapacitet që të prodhojnë më shumë se 1 miliard doza të vaksinës vitin e ardhshëm, të mjaftueshme për të vaksinuar më shumë se 500 milionë persona.

Përmes një deklarate tjetër, Ministria ruse e Shëndetësisë ka thënë se testimet e reja klinike tregojnë se vaksina Sputnik V ka qenë 91.4 për qind efektive në ditën e 28-të dhe mbi 95 për qind efektive në ditën e 42-të pas vaksinimit. Këta trupa kanë thënë se 22,000 vullnetarë janë vaksinuar me dozën e parë dhe më shumë se 19,000 kanë marrë të dyja dozat.

Testimet janë duke u kryer edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, Venezuelë dhe Bjellorusi, bazuar në deklaratë. Rusia ka qenë shteti i parë që ka miratuar vaksinën për koronavirus për përdorim të gjerë në publik, duke e regjistruar vaksinën Sputnik V në muajin gusht.

Ashtu si vaksina Oxford-Pomezia, Sputnik V bazohet gjithashtu në një version të modifikuar të adenovirusit, një virus i zakonshëm i ftohjes. Ky “vektor” është zhveshur nga të gjitha gjenet që shkaktojnë sëmundje dhe modifikohet për të kryer udhëzimet gjenetike për të bërë proteinën e koronavirusit, e cila kalon në qelizat njerëzore. Proteina spike e prodhuar nga koronavirusi më pas shkakton një përgjigje imune që mbron nga sëmundja Covid-19.

Për momentin, Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që përveç vaksinës së marrë nga Pfizer dhe pjesëmarrjes në nismën e miliarderit Bill Gastes dhe OBSH-së, e njohur si COVAX, ka nisur bisedimet edhe për marrjen e vaksinave ruse dhe kineze.

Vuçiç tha se përveç vaksinës së Pfizer, Beogradi po negocionte gjithashtu me aleatin ortodoks Rusinë si dhe Kinën.

“Ne negociojmë me të gjithë të tjerët që gjithashtu mund të sigurojnë vaksinën, pasi që kemi nevojë për sasi shumë më të mëdha,” tha Vuçiç në një fjalim para mediave.

“Ne jemi duke negociuar intensivisht me institucionet kompetente ruse për shpërndarjen e vaksinës Sputnik dhe, realisht, kontingjenti i parë do t’i dorëzohet Republika Srpska në shkurt të vitit të ardhshëm,” i tha Dusko Peroviç, kreu i Përfaqësimit të Republika Srpska në Moskë.

Që vaksina të përdoret në mënyrë të ligjshme, megjithatë, ajo ka nevojë për miratim nga Agjencia Boshnjake për Produkte Mjekësore dhe Pajisjet Mjekësore, jo thjesht nga ministria e shëndetit e Republika Srpska.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë