Bota

Rusia mban referendumet e rreme për aneksimin e zonave të pushtuara në Ukrainë

Gazeta Si – Administratat e instaluara nga Rusia në katër territore ukrainase, që pjesërisht kontrollohen nga Moska, kanë nisur të mbajnë këtë të premte të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Moska synon që përmes këtij procesi të aneksojë rajonet ukrainase.

Administratat e Luhanskut, Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjas, do të mbajnë këto referendume, të cilat bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në adresimin e tij ditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se votimet janë jodemokratike.

“Okupatorët rusë kanë organizuar grupe të armatosura për të rrethuar shtëpitë dhe për të detyruar njerëzit të marrin pjesë në të ashtuquajturin “referendum”. Qytetarët janë kërcënuar: “Ata që nuk marrin pjesë në votim do të shkarkohen automatikisht nga puna”.

Autoritetet e kanë ndaluar popullsinë vendase të largohet nga qyteti midis 23 dhe 27 shtatorit (datat në të cilat mbahet referendumi për aneksimin në Rusi)”, tha guvernatori ukrainas në mërgim i Lugansk Sergey Gaidai, raportuar nga “Guardian”.

Liderët e instaluar nga Kremlini në këto katër rajone kanë thënë më 20 shtator, se planifikojnë të mbajnë votimet për aneksim prej 23 deri më 27 shtator.

Ukraina dhe kombet e Perëndimit kanë thënë se nuk do t’i njohin këto referendume si legjitime.

Vendimi për mbajtjen e tyre vjen teksa ushtria ukrainase është duke zhvilluar kundërofensivën drejt këtyre rajoneve, duke çliruar qyteza e fshatra dhe duke rritur mundësitë për mposhtjen e forcave ushtarake ruse.

Zyrtarët perëndimorë dhe ekspertët kanë thënë se planet e Putinit që të përdorë këto referendume të paligjshme për të fituar kontrollin mbi tokën e pushtuar ukrainase, dhe kërcënimet se do të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur veten, janë tentime për të frikësuar Kievin dhe përkrahësit e Perëndimit nga zgjerimi i kundërofensivës.

E përditshmja “Kommersant” ka raportuar se aktualisht nuk ekziston asnjë databazë me informacione për numrin e qendrave të votimit që do të hapen në Rusi për shtetasit ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë