Bota

Rusia ndalon përkohësisht gazin në Gjermani

Rusia tha se do të ndalojë për dhjetë ditë dërgesat e gazit natyror në Gjermani – përmes tubacionit Nord Stream 1- duke filluar nga sot (11 korrik).

Autoritetet ruse thanë se kjo bëhet për shkak të disa punëve të përvitshme në mirëmbajtje, por në Gjermani janë të shqetësuar se Kremlini mund të gjejë ose krijojë arsye për të zgjatur ndalesën, si formë ndëshkimi për Berlinin. Ky i fundit është duke mbështetur Ukrainën, si politikisht, ashtu edhe me armë, prej kur Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të gjerë, më 24 shkurt.

Njoftimi për pezullimin e furnizimeve me gaz vjen pasi Qeveria kanadeze ka thënë më 10 korrik se do të kthejë një turbinë të riparuar të gazsjellësit Rrjedha e Veriut 1 në Gjermani.

Turbina pritet të dërgohet fillimisht në Gjermani, e më pas t’i transferohet kompanisë ruse, Gazprom, e cila është operatore e tubacionit, në mënyrë që Kanadaja të mos i shkelë sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë.

Muajin e kaluar, Gazprom ka ulur kapacitetet e furnizimit përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në 40 për qind të niveleve normale, duke u thirrur në kthimin e vonuar të pajisjeve që janë çuar për riparim në kompaninë gjermane, Siemens, në Kanada.

Moska ka thënë më 8 korrik se do të rrisë furnizimin me gaz në Europë nëse i kthehet turbina.

“Putin do ta mbyllë rubinetin e gazit… por, a do ta hapë përsëri?”, ka shkruar gazeta gjermane, Bild.

“Po përballemi me një situatë të paprecedentë, çdo gjë është e mundur”, ka thënë zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, për radion Deutschlandfunk.

“Mund të ndodhë që gazi të rrjedhë sërish, ndoshta më shumë se më parë. Mund të ndodhë që asgjë të mos vijë. Ne duhet të përgatitemi për skenarin më të keq dhe të bëjmë çmos për t’u përballur me situatën”, ka thënë ai.

Gjermania varet shumë nga furnizimet ruse me energji dhe ka paralajmëruar se ekonomia e saj mund të futet në recesion, nëse rrjedhat e gazit rus ndalen për një periudhë të gjatë.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Gjermania ka bërë përpjekje të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus, duke përfshirë edhe përmes ndërtimit të porteve të gazit të lëngshëm natyror.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë