Bota

Rusia nis provat për paradën e 9 Majit, Ukraina e akuzon për vjedhjen e grurit

Gazeta Si – Rusia ka nisur provat për paradën e madhe ushtarake të festës kombëtare në vend, për 77-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Prova e parë ushtarake u zhvilluan mbrëmjen e së enjtes në Sheshin e Kuq në Moskë.

Ndërkohë sipas medieve të huaja, është rritur frika se Putini do të kundërshtojë këshillat ushtarake për të kërkuar ‘sukses të shpallur’ në Ukrainë nga parada tradicionale e Ditës së Fitores më 9 maj.

Sipas zëdhënësit Dmitry Peskov, Kremlini nuk ka ftuar asnjë nga liderët e huaj në paradën për fitoren kundër Gjermanisë naziste të planifikuar për 9 maj në Moskë. As presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko nuk do të jetë i pranishëm.

Ndërkohë sipas zyrtarit britanik Ben Ëallace Vladimir Putin mund të shpallë Luftën e Tretë Botërore brenda disa ditësh.

Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace ka paralajmëruar se diktatori rus mund të përdorë festimet tradicionale të Ditës Kombëtare të Fitores në Rusi më 9 maj, të cilat përkujtojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore, për të thirrur trupat për një “luftë kundër nazistëve të botës”.

Trupat ruse po “vjedhin” rezervat e grurit të Ukrainës. Kështu deklaroi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, i cituar nga CNN.

Kryetari i qytetit jugor të Melitopolit, Ivan Fedorov, shtoi: “Ne kemi postuar një video të një kolone prej mbi 50 kamionësh me rimorkio që transportonin grurë nga territoret tona të okupuara. Nuk e dimë se ku e dërguan. Pushtuesit rusë po grabisin fshatarët ukrainas. Mbi 60 tonë drithë së bashku me kamionët e ngarkimit u vodhën nga kooperativa bujqësore në qytetin Kamianka-Dniprovska, në rajonin e Zaporizhzhisë”.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha për “Reuters” se plaçkitja e rezervave te grurit nga rajoni Kherson, si dhe bllokimi i dërgesave nga portet e Ukrainës dhe minimi i korsive të transportit, kërcënojnë sigurinë ushqimore të botës.

Ukraina njihet si “shporta e bukës së Evropës” dhe është një burim kryesor i grurit dhe misrit — veçanërisht për vendet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut që varen nga importet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë