Ndërsa mediat ndërkombëtare vazhdojnë ende të shkruajnë për Marrëveshjen e Prespës, ndërsa Tsipras e Zaev propozohen nga parlamentarët europianë për Nobelin e Paqes, ndërsa buzëqeshjet shtohen në komandën e Aleancës së Atlantikut të Veriut, ka ende një shpresë për ata mijëra qytetarë në Greqi, por tashmë edhe në Maqedoninë Veriore, që presin Rusinë të ndalojë emrin e ri të fqinjit verior të Greqisë.
Nga Aleksandër Marku – Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga parlamentet në Shkup dhe Athinë i dha një tension të ri çështjes maqedonase. Mediat perëndimore komentuan pozitivisht si marrëveshjen në vetvete, ashtu edhe ratifikimin e saj, ndërsa politikanët e huaj deklarojnë se janë të kënaqur për zgjidhjen paqësore të një çështjeje tepër serioze bilaterale në Ballkan. Ata besojnë se kjo zgjidhje paqësore do të sjellë stabilitet në rajon, pavarësisht nga qëndrimi negativ i shumicës së qytetarëve në të dyja vendet. Megjithatë, ka dy forca që luftojnë për të anuluar marrëveshjen e Prespës, në mënyrë që t’u shërbejë interesave të tyre.
Këto forca janë Turqia dhe Rusia, kur kjo e fundit pa dyshim është dhe më e fuqishmja. Qëndrimi i saj për këtë çështje është i njohur mirë. Ajo asnjëherë nuk ka dashur dhe nuk dëshiron zgjidhjen e emrit, pasi beson se kjo do të sjellë prezencën dhe zgjerimin e vazhdueshëm politik dhe ushtarak të SHBA-së dhe NATO-s në Gadishullin Ballkanik. Në të vërtetë, nëse ndodh kjo, do të ketë një ndikim të kufizuar të politikës së jashtme ruse në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, pas hyrjes së Maqedonisë Veriore në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Gjithashtu, sidomos gjatë vitit të kaluar, ishte po aq e njohur ndërhyrja e (pasuksesshme) faktorit rus në Greqi dhe IRJM për të krijuar pengesa, fillimisht përgjatë negociatave dhe më pas në ratifikimet e Marrëveshjes.

Në Shkup, rusët mbështetën nacionalistët e VMRO-DPMNE dhe presidentin Ivanov, duke i vënë theksin faktit që marrëveshja prek “Maqedonizmin” e popullit të Ish-Republikës Jugosllave! Në të njëjtën kohë, në Greqi, rusët mbështetën, – direkt ose indirekt, – veprimet dhe nismat e faktorëve që kundërshtonin dhënien e emrit të Maqedonisë organizatave, grupeve kishtare si dhe formacioneve të tjera që ushtrojnë ndikim politik.

Por, pavarësisht nga përpjekjet ruse, Marrëveshja e Prespës është nënshkruar dhe ratifikuar nga parlamentet e të dyja palëve, duke e bërë emrin kushtetues të fqinjit verior të Greqisë “Maqedonia e Veriut” përfundimtar dhe të pakthyeshëm.
Çfarë sjell zgjidhja e emrit
Kjo zgjidhje do të sjellë hyrjen përfundimtare të “Maqedonisë së Veriut” në NATO, pa qenë ende i sigurt integrimi europian i vendit . Por, nga ana tjetër, sipas vendeve perëndimore sigurohet stabiliteti në rajon, pasi Rusia konsiderohet prej tyre si një burim destabiliteti. Siguron gjithashtu zhvillimin e Ballkanit dhe mbi të gjitha paqen, në një zonë që nga viti 1990 është e vetëdijshme për rritjen e nacionalizmit dhe të irredentizmit, por gjithashtu forcon sigurinë energjetike të rajonit, si dhe të gjithë kontinentit europian. Askush nuk e di nëse Moska do të zgjedhë përsëri një përleshje me Perëndimin, pasi akoma nuk ka pranuar humbjen e saj të fundit në Ballkan. Hapin e parë e bëri menjëherë pas votimit në Shkup, kur nëpërmjet profit në rrjetin social “Twitter” të ambasadës ruse, Moska dërgoi një mesazh ku thoshte “Rusia e ka njohur Republikën e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues më shumë se para 26 vjetësh dhe nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj. Dhe në fund të fundit dihet që Rusia nuk është një forcë që lehtësisht pranon humbjen e saj, sidomos në rajonin ballkanik ku tradicionalisht ka ushtruar gjithnjë ndikim. Edhe pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti grek, ajo ka dy opsione me të cilat beson, me sa duket, që mund të ndalojë zbatimin e atyre për të cilat kanë rënë dakord Athina dhe Shkupi.

A mund ta bllokojë Rusia Prespën?
Së pari, Moska ka mundësi të mos njohë formalisht “Maqedoninë e Veriut”, duke u bërë thirrje aleatëve të saj të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo do të krijojë shumë probleme, por jo vendimtare, pasi vende të rëndësishme si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania, pjesa tjetër e BE-së dhe vendet gjigante botërore si Kina dhe India do të kenë njohur emrin e ri dhe me këtë emër do të kenë marrëdhënie me këtë shtet. Së dyti, Rusia, duke përfituar nga pozita e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si një anëtare e përhershme, mund të apelojë në këtë institucion, të ushtrojë veto dhe të pengojë njohjen e Ish-Republikës Jugosllave si “Maqedonia e Veriut” nga organizata më e lartë ndërkombëtare. Kjo mund të krijojë një problem real, sepse OKB është organizata më kompetente për njohjen ndërkombëtare të shteteve, dhe dihet se Rusia përdor kërcënimin e vetos, e ka bërë këtë edhe në të kaluarën. Por, a është Këshilli i Përgjithshëm kompetent për të miratuar Marrëveshjen e Prespës? Përgjigjja është jo, pasi marrëveshja është lidhur ndërmjet dy shteteve sovrane dhe ajo që mbetet është vetëm informimi i planifikuar i Sekretarit të Përgjithshëm dhe protokollimi i tekstit në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, sapo marrëveshja të hyjë në fuqi. Për më tepër, teksti që u nënshkrua në dispozitat përfundimtare të nenit 20, paragrafët 6 dhe 10, nuk i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndoshta duke pasur parasysh reagimin rus si tepër të pritshëm. Rusia, megjithatë, mbështetet në paragrafin 3 të Rezolutës 845 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1993, sipas të cilit rezultatet e bisedimeve midis Shkupit dhe Athinës do të gjykohen nga vetë Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Në të vërtetë, Rezoluta 845 udhëzon Sekretarin e Përgjithshëm dhe ai të dërguarin e posaçëm, Matthew Nimetz, që të ndërmjetësojë në bisedimet midis Greqisë dhe IRJM dhe të kthehet në Këshill me përmbushjen e mandatit. Por, negociatat që çuan në Marrëveshjen e Prespës nuk u kryen me ndërmjetësimin e M. Nimetz, por me “lehtësimin” e bisedimeve prej tij. Kjo është arsyeja pse zoti Nimetz e nënshkroi Marrëveshjen thjesht si dëshmitar. Pra, Marrëveshja është bilaterale dhe nuk është bërë përmes ndërmjetësimit të posaçëm të negociatorit të OKB. Përfundimisht lind pyetja e logjikshme: A është Rusia e përgatitur të shkojë drejt një konflikti tjetër me Perëndimin në Ballkan? Edhe pse Rusia historikisht kishte një prani të fuqishme në këtë rajon, ky është dobësuar ndjeshëm në shekullin e 21-të. Shumica e shteteve ballkanike u janë bashkuar institucioneve euroatlantike, duke arritur kulmin me hyrjen e Malit të Zi në NATO në vitin 2017, pavarësisht përpjekjeve intensive të Moskës për të parandaluar këtë zhvillim. Edhe Serbia, aleati më i ngushtë i Rusisë në rajon në vitet e fundit, kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj me qëllim anëtarësimin në Bashkimin Europian. Prandaj, nuk është e sigurt se Rusia do të sjellë marrëveshje në Këshillin e Sigurimit , sepse kjo do të përkeqësojë marrëdhëniet tashmë të tensionuara me Perëndimin. Nga ana tjetër, Rusia do që të ruajë praninë e saj në Ballkan për interesat e saj strategjike në rajon. Ndaj dhe do të jetë me shumë interes në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm se si Perëndimi nga njëra anë dhe Rusia nga ana tjetër, do të shpalosin strategjitë e tyre në një prej rajoneve më të rëndësishme, por dhe më të sprovuar në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje