Ka ndodhur

Ryshfet për të kaluar kontrollin, arrestohet një tjetër polic në Portin e Durrësit

Gazeta Si – Një tjetër kontrollor në stacionin e policisë në pikën kufitare të Portit të Durrësit është vënë në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Njazi Rexhepi, 57 vjeç, i cili ishte me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës, pranë DVKM Durrës akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Nga hetimet e kryera, del se punonjësi i policisë ndaj të cilit u ekzekutua masa e sigurimit “arrest në burg”, duke keqpërdorur atributet që i jep detyra, lejonte hyrje-dalje të shtetasve që kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen, në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 50 deri në 100 euro.

Gjithashtu, në funksion të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 25-vjeçarin E. S., i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se ky shtetas, ka kryer ndërveprime korruptive me punonjësin e policisë Njazi Rexhepi.

Pak ditë më parë u arrestuan gjashtë punonjës policie në Portin e Durrësit për korrupsion dhe shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë