Futboll

Sa të rrezikuar janë futbollistët pas karantinës? Analiza ndryshe e Ilir Dajës

Sipas udhëzimeve të UEFA-s, çdo Federatë Futbolli duhet të bëjë përpjekjet maksimale për mbylljen e kampionatit kombëtar. Në Shqipëri nuk ka ende një datë zyrtare për rifillimin e garës, por objektivi është që më 20 ose 24 maj skuadrat të nisin ndeshjet, pas 2-3 javësh përgatitje në fushë. A mjafton kjo kohë për futbollistët pas dy muajsh pushim. Këndvështrimet janë të ndryshme, dëshira është e madhe për rikthimin në fushë, por edhe rreziku po ashtu është i madh.

Gazeta Si ka biseduar me trajnerin e njohur Ilir Daja në lidhje me këtë çështje. Kryeqytetasi, kampion me Dinamon, Elbasanin dhe Skënderbeun, të cilin e drejton aktualisht, është nga ata trajnerë që e bëjnë vetë përgatitjen fizike të futbollistëve edhe e njeh mirë situatën. Daja është për një rikthim të matur të futbollit, pasi bëhet fjalë çështje të rëndësishme, si shëndeti, imazhi dhe karriere të sportistëve.

Ilir Daja, trajner i Skënderbeut. Gazeta Si, 29 prill 2020

“I pari është shëndeti, – thotë trajneri Daja në fillim. – Ta lëmë aspektin sportiv. Me gjithë mend që të gjithë duam që të rifillojmë, por jo të fillojmë dhe pastaj, pas dy javësh, të ndërpritet përsëri kampionati. Italia është një vend me potencial të madh të klubeve të futbollit, është tjetër botë, dhe sërish po tregohet shumë e matur. Nëse rinisim ndeshjet dhe në një ekip shfaqet një problem, do të thotë se ky ekip do të karantinohet i gjithi. Pra, gara do të vazhdojë me 9 ekipe nga 10 që janë. Nëse del edhe një tjetër, bëhen dy, si do vazhdojë kampionati, me 8 ekipe? Në këtë sens, do të ishte një imazh i keq, duke lënë të kuptohet se futbolli është problematik. Më mirë të presim një apo dy javë dhe të ndjekim situatën se të nisemi dhe të stopohemi”.

Daja dhe kolegu i tij Gega. Gazeta Si, 29 prill 2020

Pastaj trajneri Daja kalon në anën sportive, duke shpjeguar me detaje se çfarë problemesh mund të krijohen dhe sa të rrezikuar janë futbollistët në një situatë të tillë: “Ne zhvillojmë faza përgatitore të plota në verë, kur lojtarët vijnë nga një periudhe pushimesh një muaj, një muaj e gjysmë apo dy muajsh, por nuk është një pushim pasiv. Lojtarët mund të dalin, të bëjnë vrapime në natyrë, të bëjnë palestër, të aktivizohen me lojëra të ndryshme në plazhe, të luajnë kalçeto etj. Pushimi i një futbollisti është gjithmonë aktiv, pavarësisht si punon njëri dhe si punon tjetri.

Në kushtet që flasim, vijmë pas gati dy muajsh pushim pasiv. Pasiv ka qenë sistemi kardiovaskular i sportistit, që do të thotë zemër, mushkëri dhe qarkullim gjaku, edhe pse në kushte shtëpie ka ushtrime kardio, por intensiteti i tyre nuk është në ato ritme që është në garë. Në garë pulsi shkon edhe 190 të rrahura në minutë, edhe më shumë, kurse në shtëpi, në një dhomë, nuk mund ta ngresh më shumë se sa te kapaciteti aerobik.

Kemi të bëjë me probleme jetësore të futbollistit dhe këtu bën pjesë edhe sistemi lokomotor, që është muskulatura dhe fiksimi i saj në kocka. Sado të bësh një ushtrim në kushte shtëpie, nuk je në biomekanikën e gjestit të garës. Do vraposh me gjunjët sipër, kurse në lojë do spostohesh anash, do frenosh, do ndryshosh drejtimin. Ka shumë rëndësi sistemi muskulor dhe ligamentoz, më shumë ky i dyti, sepse ka më pak elasticitet. Lojtarët marrin ngarkesa shumë të mëdha dhe pa një përgatitje të mirë, sipas literaturës duhen 4-6 javë, është e vështirë.

Mirë një tërheqje e gradës së parë apo e dytë që mund të rikuperohet, po një dëmtim i ligamenteve? Një dëmtim i tillë do mbi 6 muaj të rikuperohet, që do të thotë se futbollistit i duhet një periudhë tjetër pushimi. Mos harrojmë se futbollistët e kanë profesion, me futbollin jetojnë. Mund të hedhim në erë sezonin, por edhe karrierën e një futbollisti. Dhe ky, e përsëris, është një imazh i keq për futbollin”, – shprehet Daja për Gazeta Si.

Ilir Daja, kur drejtonte Flamurtarin. Gazeta Si, 29 prill 2020

Në fund, ai ka edhe një tërheqje vëmendjeje: “Shumë është abuzuar në këtë periudhë, por harrojnë që sporti është një nga gjërat kryesore në rritjen e imunitetit të organizmit. Pak e mundur është që virusi të bëjë dëm te një sportist. Sado që mjekët të jenë të zhvilluar, nëse sistemi imunitar, – që në përgjithësi futbollistët dhe sportistët e kanë, – nuk është i shëndoshë, atëherë bëhet e vështirë. Sportistët janë më pak të rrezikuar edhe nga ky virus i tmerrshëm”.

Kjo është analiza e trajnerit kryeqytetas, i cili gjykon si një profesionist, pa u ndikuar nga interesi i klubit të tij. Këshilla e tij është që skuadrat e futbollit, para se të rinisin aktivitetin, duhet të kenë minimalisht 4 javë kohë për të marrë veten nga kjo periudhë e gjatë pushimi, që kalon edhe periudhën e pushimit midis sezoneve.

Mbetet për t’u parë vendimi që do të marrë Federata, e ndikuar nga orientimet e qeverisë. Nëse kampionati nuk arrin të mbyllet sipas kalendarit, ka formula të ndryshme për ta përfunduar atë dhe për t’i dhënë verdiktet në fushë, sigurisht, duke u kujdesur edhe për shëndetin e futbollistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë