Bojkoti i kampionatit të Superiores ka ngjallur debate ditët e fundit. Liga Profesioniste i ka parashtruar katër kërkesa qeverisë dhe nuk kërkon të negociojë me asnjë funksionar apo grup ekspertësh të saj, përveçse me Kryeministrin Edi Rama. Prej tij, siç ka pohuar për Gazetën Si sekretari i Ligës, Dritan Kadia, priten vetëm realizime e jo më premtime.
Megjithatë, bojkoti i garave si kërcënim për qeverinë nuk shihet si zgjidhja e problemit dhe brenda Ligës ka zëra kundër. Njëri prej tyre është presidenti i nderit të Kukësit, Safet Gjici, i cili pas ndeshjes me Volfsburgun ka përsëritur qëndrimin e tij kundër bojkotit. “Kampionati duhet të fillojë, sepse i bie që të shkrihen ekipet fare. Katër kërkesat e Ligës janë të drejta, por duhet të zgjidhen duke u ulur në tavolinë. Shumë shpejt palët mund të ulen dhe të diskutojnë. Duhet realizuar ato katër pikat për formalizimin e futbollit.
E kam thënë, nuk jam për bojkot. Problemet janë shumë të rëndësishme për Ligën, por duhet të ulemi dhe të negociojmë me qeverinë për t’i zgjidhur”, – theksoi mes të tjerash Safet Gjici. Ai mban detyrën e kryebashkiakut të Kukësit, ndaj dhe në klubin që drejton ka postin e presidentit të nderit, por vendimmarrja është e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje