Saga disamujore e disa Partive Demokratike është shpërngulur sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka nisur sesioni i ri parlamentar, i cili që në momentet e para është përfshirë nga të qeshurat.
Shkak është bërë leximi i një kërkese të sjellë nga PD sot në orën 09:00 në sallën e Kuvendit, kur kryepalamentarja Lindita Nikolla prezantoi si kryetar grupi të demokratëve, Lulzim Basha. Ky njoftim ka shkaktuar të qeshura, si nga të majtët dhe të djathtët.
Në statutin e ri të PD-së u caktua që Basha të ishte dhe kreu i grupit parlamentar. Ndërkohë ai tha sot se këtë detyrë do t‘ia delegojë njërit nga nënkryetarëve të PD-së.
“Ju njoftoj se ka ardhur një njoftim në orën 9 nga Partia Demokratike, e cila më njofton se bazuar në nenin 9 të rregullores së rregullores së grupit parlamentar të PD, bazuar në vendimin e kryesisë së PD më 2 shtator, më vënë në dijeni se kreu i grupit parlamentar të PD është zoti Basha”, tha Nikolla, ndërkohë që deputetët qeshën.
E në fakt, Lulzim Basha pak para nisjes së seancës plenare në Kuvend, në një prononcim për mediat deklaroi se detyrën e kreut të grupit parlamentar, do t‘ia delegojë njërit prej nënkryetarëve.
“Asnjë debat artificial apo i natyrshëm me njëri-tjetrin nuk ndihmon. Kauza jonë është për qytetarët. Në momentin kur televizioni Syri do t’i drejtohet zyrtarisht PD do të përgjigjem. Prej ditës së djeshme me hyrje në fuqi të statutit të PD, janë marrë vendimet përkatëse. Dua të deklaroj hapur se si kryetar i PD i ngarkuar nga statuti edhe me detyrën e kryetarit të grupit, i autorizuar për t’u deleguar. Do ta delegoj te një nga nënkryetarët e PD, siç ka qenë më parë. Thirrja ime për çdo deputet pas një orë të vështirë, është që tani është momenti të shohim, përtej interesave personale”, tha Basha.
Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferraj ishte një nga deputetët që reagoi në lidhje me njoftimin që bëri kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla se kryedemokrati Basha është zgjedhur edhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie.
Ai tha se ishte bërë konfuz me këtë njoftim, ndërsa pyeste ironikisht Nikollën nëse do të duhet të votonin për kryetar grupi të PS mes Çuçit dhe Bashës.
“Unë jam shumë konfuz. Nuk arrita që të kuptoj fare. Ju na propozuat midis Çuçit dhe Bashës se kush do të zgjidhet kryetar grupi. Jam konfuz”, tha Xhaferraj duke shkaktuar të qeshura në Kuvend.
Ndërkohë për këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i PD Edi Paloka. Ai iu drejtua Nikollës duke i thënë se kjo situatë është qesharake dhe se nuk mund të pranohen një kryetar që vetëzgjidhet.
“Sot dua t’ju vë para një situate të tillë se po shoh se nuk po e kuptoni. Nëse nesër unë mbledh 2 mijë vetë në një sallë dhe e quaj Kuvend të PS dhe zgjidhem kryetar, sekretar e të tjera me ‘ar’ prapa, dhe u them se jam kreu i grupit të PS, çfarë do bënit ju? Kuptoje kështu dhe mos u bëni qesharake si ata. Vjen dikush që u thotë se jam zgjedhur kryetar i PS dhe ju e pranoni”, u shpreh Paloka.
Ndërkohë Nikolla deklaroi se këtë çështje do t’ia kalojë zyrës juridike të Kuvendit.
Pasi kjo e fundit konfirmoi se kryetari i grupit parlamentar të PD-së është Lulzim Basha, Gazment Bardhi mori fjalën në Kuvend.
Ai tha se kryetarin e grupit nuk e zgjedh dot PS, por deputetët e Partisë Demokratike ndërkohë që zgjedhjen e Bashës në krye të grupit Bardhi e quajti veprim qesharak, ndaj i kërkoi kryeparlamentares të mos provokojë deputetë e Partisë Demokratike.
“Ju mund të talleni me qytetarët, mund të jeni tallur edhe me opozitën për shkak të konflikt, por ta harroni se do vijë dita kur kreun e grupit të PD ta zgjedhë PS. Në këtë sallë ka deputetë të grupit të PD që vendosin se kush është kryetari i grupit të PD. Disa kanë vendosur të jenë qesharak por ju lutem mos provokoni deputetët e opozitës, Ky është paralajmërimi i thjeshtë dhe qytetar. Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk e caktojnë dot kryetarin e grupit parlamentar të PD”, tha Bardhi.
Pas përfundimit të seancës parlamentare, Gazment Bardhi tha se Lulzim Bashës i duhet të sigurojë 19 vota të deputetëve për t’u bërë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ai tha se kaq vota nuk i siguron dot, ndërsa zgjodhi të sfidojë publikisht atë, duke theksuar se nëse mbledh 18 vota, vota e 19-të do jetë ajo e Gazment Bardhit.
“Paska ambicie për tu bërë kryetar i grupit, në këtë moment i duhet të sigurojë 18 vota deputetësh, vota e 19 do jetë e Bardhit, po e deklaroj publikisht. Kaq borxh i kam për hir të bashkëpunimit që kam pasur me të”, tha Bardhi.
Gjatë deklaratës për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, Bardhi përdori doza ironie ndaj kryetarit të PD-së: Do vetëshpallet mbret i Anglisë shumë shpejt. Mos u habisni që të thotë se “jam dhe kryeministër“.
“Grimcë humor, si çdo fund vere ka nevojë për grimca humori. 7 është më e vogël se 20 apo 30. Nuk e di se kush ja qëllim ta kthejë Bashën në qesharak që të pohojë se 7 është me madhe se 20 apo 30. Parlamenti vepron me rregullat të shkruara. Është e qartë, mbledhja e deputetëve cakton kreun e grupit të PD”, tha Bardhi.
Bardhi ka vijuar vijuar ta shpërfillë vendimin e Bashës, ndërsa nga oborri i parlamentit e cilësoi veten kreun e grupit dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve të marrin pjesë në takimin që ka thirrur ditën e martë, madje edhe Lulzim Bashës.
“Takimi i nesërm është për të unifikuar një axhendë të përbashkët parlamentare gjithë bashkë si deputetë të opozitës. Ftoj secilin koleg të bëhet pjesë për të diskutuar se si ka funksionuar opozita gjatë këtyre viteve për ti dhënë fund kësaj situata që na ka vënë në siklet dhe për të ndërtuar një aksion politik parlamentar të përbashkët. Roli im si kreu i grupit të PD është të unifikojë çdo deputet në një qëndrim të përbashkët kundër Edi Ramës”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje