Politike

Salianji: Arrestimi i ish-gjeneralit të Guardia di Finanza po nxjerr lidhjet e tij me njerëzit e Ramës

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji deklaroi përmes një konference për shtyp se, “arrestimi i ish-gjeneralit të Guardia di Finanza, Fabrizio Lisi, po nxjerr fijet që lidhin Edi Ramën me operacionin kriminal të kanabizimit të Shqipërisë”.

“Investigimet e medias italiane dhe shqiptare, tregojnë se miku italian i Ramës dhe njeriut të tij të më të afërt, Ëngjëll Agaçit, është personi që në kulmin e kanabizimit servirte raporte për asgjesimin e 99 përqind të drogës në Shqipëri.

Raporte të cilat më pas trumbetoheshin nga qeveria si suksese duke mashtruar për qëllime kriminale shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Arrestimi i Fabrizio Lisit dhe dalja në pah e lidhjeve të tij me njeriun më të afërt të Ramës, është prova se kthimi i vendit tonë në një Kolumbi, është bërë nga ata që kanë pushtetin politik, qeverisës dhe ekonomik, kriminal dhe që janë të zotë të korruptojnë e të fusin në thes edhe drejtues të lartë të Guardia di Financa-s italiane”, tha Salianji

Gjithnjë bazuar në kronika mediash, Salianji nënvizoi:  

“Televizioni italian “RAI 3” publikoi një seri kronikash mbi trafikun e drogës nga Shqipëria. Në njërën prej tyre, flitej pikërisht për gjeneralin italian të Guardia Di Finanza, Fabrizio Lisi, i cili pas daljes në pension, drejtonte një shoqate kulturore italiane.

Shoqatës i ishin dhuruar mijëra metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës. Sipas gazetarit të “RAI 3”, Valerio Kataldi prona në Vlorë i ishte dhuruar nga një person i hetuar në Itali për lidhjet mes Sacra Corona Unita dhe investimet e saj në Shqipëri.

Lidhjet e Agacit me gjeneralin e korruptuar italian, tashmë i arrestuar, janë provë se vetëm një njeri me pushtet absolut pranë Edi Ramës, mund të ndërmerrte një operacion të tillë dhe se Saimir Tahiri, ministri i dënuar për bashkëpunim me bandën e Habilajve, ishte vetëm zbatuesi i këtij operacioni.

Askush nuk do të guxonte të ndryshonte raportet e Guardia di Finanza, e aq më pak të kanabizonte Shqipërinë së bashku me krimin e organizuar pa lejen, bekimin, mbështetjen dhe porosinë e Edi Ramës, qoftë ky edhe Agaçi  i tij” 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë