Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i ka kërkuar Sali Berishës që të ndalë sulmet ndaj ambasadores së SHBA-së dhe çdo përfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka deklaruar në mbledhjen e sotme të grupit të PD se problemet themelore të partisë janë plagët në bazë. Ai ka theksuar se i duhet dhënë mundësia çdo demokrati të garojë në një proces të besueshëm duke shtuar se bashkimi mund të vijë vetëm përmes një procesi të përbashkët.
“Çdo mbledhje pa axhendë duket si mbledhje për axhenda okulte, produkti që jep kjo mbledhje nuk duhet të prodhojë më shumë paqartësi, më shumë mjegull dhe më shumë ndasi! Personalizimi i mbledhjes i shërben krijimit të ndasisë dhe propogandimit në publik të ndarjes!
Duhet t’iu them disa elementë; ne kemi bërë një rrugëtim të ndryshëm për disa muaj; para 2 javëve ka pasur një vendim gjykate, njëra pale thotë nuk e njoh por ndërkohë prej dy javësh nuk e ka thirrur pjesën e grupit që mendon kështu, as kryesinë e partisë, nuk ka mbledh as degët, çuditërisht dorëzuan dhe çelësat duke e bërë fakt vendimin!
Gjendja dhe prania e çdo deputeti këtu ka bërë fakt një gjendje të re, sot gjendja faktike po tregohet nga të gjithë kolegët qe folën. Po i kërkohet Komisionit të Rithemelimit të bëjë pjesë të procesit deputetët dhe nuk po i kërkohet askujt tjetër.
Problemi themelor qe ka partia sot janë plagët në bazë, ne duhet t’i japim mundësi çdo demokrati të garojë në një proces të besueshëm dhe ku janë gjithë palët! Bashkimi vjen duke u bërë proces i përbashkët!
Po ju kërkoj dhe diçka si kolege, secili prej jush është në të drejtën e vet për sa kohe flet në cilësi personale dhe jo në emër të grupit por Zoti Berisha duhet të ndalë sulmet ndaj ambasadores amerikane dhe çdo perfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara.
Problemet ja kemi shkaktuar njëri tjetrit, nuk mund të shpallim fajtorë ambasadoret për gabimet e dikujt! Na ka ndarë jo mbështetja ndaj një personi, por mbështetja që i kemi dhënë siglës dhe puna për demokratët!”, ka thënë Salianji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje