Samiti inaugurues i Bashkësisë Politike Evropiane, që po mbahet në Pragë të Çekisë, tregon “unitetin” e kontinenti evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kështu deklaroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili njëherësh është ideatori i kësaj bashkësie.
“Synimi, pikë së pari, është që ne të ndajmë pikëpamjet për situatën që po prek Evropën, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”, tha Macron në fillim të samitit, që mbahet në Kështjellën e Pragës.
Në Pragë të Republikës Çeke janë ftuar krerët e 44 shteteve evropiane. Ftesë nuk kanë marrë Rusia dhe Bjellorusia.
Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Evropian, Petr Fiala, tha se ky samit është një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe për synimet e mbrojtjes së mjedisit.
Më herët gjatë ditës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se takimi në Pragë dërgon sinjal të qartë për izolimin e Rusisë, shtet që ka nisur një luftë të paprovokuar ndaj Ukrainës.
Ndërsa Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz,
tha se duhet pasur kujdes që forumi i Bashkësisë Politike Evropiane të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar.
“Nuk ka të bëjë me krijimin e një institucioni të ri që ka administratë dhe burokraci”, tha lideri gjerman, dhe shtoi se takimi të krerëve të shteteve në Pragë duhet të shërbejë “për të biseduar me njëri-tjetrin në mënyrë shumë konkrete”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar samitit përmes video-lidhjes, duke kërkuar nga Perëndimi që të furnizojnë shtetin e tij me më shumë armë, me qëllim që, siç tha ai, “të ndëshkohet agresori”.
Zelensky tha se Ukraina duhet të mposht Rusinë “në mënyrë që tanket ruse të mos përparojnë drejt Varshavës, ose sërish në Pragë”.
“Evropa po përballet me krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, por me unitet do ta zgjidhim këtë”, tha kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss. Ajo shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën “për ta fituar këtë luftë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje