Po mbahet në Beograd takimi i dytë i udhëheqësve dhe biznesmenëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur”.
Sipas agjendës së publikuar nga mediat serbe, mes orës 11:30 dhe 12:30 minuta pritet që Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe zv.kryeministri maqedonas, Nikolla Dimitrov të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Para kësaj konference mbahen takime të politikanëve me biznesmenët të të trija vendeve, me përfaqësues të Këshillit të Atlantikut dhe në fund një takim i përbashkët Rama-Vuçiç-Dimitrov.
Takimi i Beogradit pason Forumin Ekonomik të Shkupit ku u njoftua dakordësia e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për të reduktur dhe hequr barrierat e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, dy prej shtyllave të objektivit që synon “Ballkani i Hapur”.
Nisma parashikon që në një fazë të mëpasshme të liberalizohet lëvizja e kapitalit dhe e shërbimeve. Nisma është akuzuar nga kundërshtarët se po synon që të zëvendësojë integrimin europian të rajonit, por Kryeministri Edi Rama thotë se “Ballkani i Hapur” nuk parashikon asgjë më shumë se ato që kërkon “Procesi i Berlinit”, i nisur në 2014 nga Kancelarja Angela Merkel me qëllim përforcimin e bashkëpunimit rajonal para anëtarësimit në BE.
Takimi i Beogradit zbehet nga mungesa e Zoran Zaev, i dorëhequr pas humbjes në zgjedhjet vendore të së dielës që kaloi. Dorëheqja e tij nuk krijon paqartësi politike vetëm në Shkup, por edhe për vetë fatin e “Ballkanit të Hapur”, që me një largim të mundshëm të Maqedonisë së Veriut do të shndërrohej nga një nismë rajonale në një marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Të mërkurën, Vuçiç shtroi një darkë për Ramën dhe Dimitrov në Kullën e Beogradit. Në të mori pjesë edhe Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç. Por, ky i fundit ndodhej në Serbi në kuadër të një vizite zyrtare dhe jo për Ballkanin e Hapur, nismë për të cilën Podgorica është shprehur pesimiste. Paraditen e së enjtes, ai ka udhëtuar sërish për në Mal të Zi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje