Lajme

Samiti i Diasporës, Spiropali: U prodhuan rezultate konkrete

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një dalje për mediat ka treguar disa nga hapat dhe vendimet e ndërmarra në Samitin e Diasporës.
Sipas saj, Samiti prodhoi një numër rezultatesh konkrete, duke nënvizuar se një hap u hodh për të drejtën e votës së emigrantëve.

Ministrja i bëri thirrje opozitës për të diskutuar në Kuvend të drejtën për votimin e emigrantëve, pasi sipas saj bllokimi i Kuvendit e bën të pamundur realizimin e kësaj të drejte për emigrantët shqiptarë.
“U parashikuan hapa konkrete për të realizuar votimin e diasporës në Shqipëri dhe në Maqedoni. Konkretisht, prej muajit korrik, në Parlament është dërguar një dokument i detajuar për mundësimin e kësaj të drejte. Shpresohet që dokumenti të bëhet pjesë e reformës së ardhshme zgjedhore, pasi opozita të rikthehet në Parlament”, tha ajo.
Spiropali veçoi mes të tjerash, remitancat dhe pensionet. “Në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka përfituar rreth 30 miliardë dollarë remitanca, të cilat kanë shkuar kryesisht për të financuar konsumin familjar. Për herë të parë, tanimë ekziston një strategji për kanalizimin e këtyre remitancave në sektorët kyçë të ekonomisë, si turizmi, agroturizmi dhe prodhimi”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se do te fillojë të funksionojë edhe Banka e Diasporës, që do të jetë një instrument i mirëfilltë, i mbështetur nga shteti, për përthithjen dhe kanalizimin e kapitalit të diasporës në ekonomi.
Me interes sipas ministres, është njohja e pensioneve.
“Për këtë qëllim, për herë të parë, shteti shqiptar ka emëruar një Koordinator Kombëtar të Pensioneve, që do të ketë për detyrë të vetëm të çojë përpara negociatat me vendet e interesit. Në fokus të punës së këtij koordinatori do të jenë fillimisht vendet me popullsi më të lartë shqiptare, si Italia, Greqia, SHBA-të, Kanadaja dhe Anglia”, tha ministrja Spiropali.
Të tjera arritje të rëndësishme u regjistruan në fushën e arsimit, kulturës, filantropisë, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë