Pas Kosovës, edhe Shqipëria ka anuluar pjesëmarrjen në samitin e Sarajevës. Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka njoftuar se në solidaritet me Prishtinën, as vendi ynë nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje Hercegovina.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Ministri në Detyrë shkruan se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm. Cakaj thotë se paragjykimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.
Ministri në Detyrë Cakaj shkruaj se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë. “Qëndrojmë së bashku,” përfundon Cakaj në Twitter.
Një ditë më parë, edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka njoftuar mospjesëmarrjen e vendit të tij në këtë samit.

Në një shkrim në rrjetet sociale ai tha se ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bën të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.
Kryesuesi i presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Milorad Dodik, i ka bërë ftesë presidentit Thaçi, por ka theksuar se ai nuk është i ftuar në cilësinë e presidentit të Kosovës, por përfaqësimi i tij do të jetë me një fusnotë. Shënimi ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me të cilin i mundësohej Kosovës pjesëmarrja në forumet rajonale.
Ashtu sic pritej, Thaçi refuzoi ftesën duke thënë se nuk mund ta pranojë trajtimin e barabartë të Kosvës nga vendet e tjera. “Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i yni është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse”, shkruan Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosvës shton se sjellja e Bosnjës është e papranueshme dhe paradoksale, meqenëse përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antieuropiane, që nuk dallojnë nga ato të Serbisë. “Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”- thekson presidenti.
Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antieuropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, shkroi presidenti Thaçi, duke nënvizuar se “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”.
Një incident i ngjashëm diplomatik është regjistrur edhe vitin e kaluar , kur takimi ishte mbajtur në Banja Llukë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka anuluar papritur pjesëmarrjen, pasi lideri i Republikës Sprska deklaroi se ai nuk ishte i mirëpritur në rajonin autonom serb.
Bosnja, e përçarë mes dy rajoneve etnike dhe e udhëhequr nga qeveri të dobët, nuk e ka njohur ende Kosovën për shkak të kundërshtimeve të serbëve të Bosnjes, të cilët ndjekin me devotshmëri politikën e aleatëve të tyre në Serbinë fqinje. Dodik ka këmbëngulur prej kohësh për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe ka intensifikuar retorikën nacionaliste pas deklaratave të Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe pse marrëveshja e propozuar e Vuçiç duket se ka të bëjë vetëm me Kosovën, ajo prek në fakt edhe Bosnje Hercegovinën. Dodik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që Vuçiç të përdorë zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës, për rihapjen e statusit të serbëve të Bosnjës, si hapi i parë drejt këtij bashkimi të ardhshëm. Ai e ka bërë këtë kërkesë shpesh në praninë e Vuçiçit, duke shkaktuar jo pak shqetësim në Sarajevë. Dodik shprehet se republika Srspska është e destinuar të bëhet pjesë e shtetit serb në shekullin 21. Sipas tij, bashkimi më Beogradin duhet të jetë detyra e vetme e elitës politike serbe në vitet qe do të vijnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje