Presidenti i Parlamentit Europian kërkoi që procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor të mos zvarritet edhe më tej, duke paralajmëruar se çdo zvarritje e mëtejshme rrit edhe më shumë ndërhyrjen e aktorëve të tretë në mes.
“Ne nuk mund të mbajmë shtetet dhe qytetarët e tyre duke pritur me dekada. Ata duan që t’i bashkohen familjes sonë europiane. Nuk duhet të vonohemi më në këtë drejtim, sepse shtete të tjera mund të rrisin ndikimin në rajon”, deklaroi Sassoli.
Kreu i PE foli gjatë samitit të Bled, që po mbahet në Slloveni. Samiti organizohet nga Ministria e Jashtme sllovene, që drejton Presidencën e BE-së. Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç drejtoi gishtin nga Brukseli. Ai iu referuar zvarritjes së hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ai tha se një zvarritje të tillë mund të pësojë edhe Serbia. Aktualisht, negociatat e Serbisë kanë ngecur te kapitujt për shtetin dhe sundimin e ligjit. BE ka adresuar kritika ndaj Beogradit në këtë drejtim më shumë jo për kuadrin ligjor, por për mungesën e vullnetit për të luftuar, sidomos krimn e organizuar.
Por, Vuçiç thotë se Serbia e tij ka bërë hapa para në fushën e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe akuzon BE për mosmbajtje të premtimeve.
Anëtarësimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor e kërkoi edhe Kryeministri hungarez, Viktor Orban. Ai u ndal të rëndësia gjeostrategjike e rajonit dhe avantazhet që do t’i jepte BE-së, sidomos në fushën e sigurisë, anëtarësimi i tyre.
Në lidhje me çështjen e afganëve, pati përplasje mes kreut të PE, David Sassoli dhe Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis. Sassoli qortoi vendet e BE-së që për mospranimin e refugjatëve, ndërsa kryeministri grek iu përgjigj duke deklaruar se Greqia ishte në 2015 viktimë e dështimeve të politikave të BE-së me refugjatët sirianë dhe nuk mund të pranonte sërish një dështim tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje