Bota

Sanksione ndaj Rusisë si BE, edhe Zvicra thyen neutralitetin historik

Gazeta Si – Edhe Zvicra po përgatitet të godasë Rusinë me një sërë sanksionesh, duke iu përshtatur atyre të vendosura nga Bashkimi Europian.

Këtë e bëri të ditur presidenti i Konfederatës, Ignazio Cassis, duke folur në mikrofonat e një kanali televiziv publik francez dhe duke e cilësuar si “shumë të mundshme” që Zvicra të hënën të ngrijë një sërë pasurish të mbajtura nga qytetarët rusë.

Kjo është një pikë kthese e rëndësishme dhe në një farë mënyre historike: nga njëra anë, Berna thyen neutralitetin e saj tradicional përballë luftërave dhe nga ana tjetër mbulon një “rrjedhje” që mund të ishte hapur në kontrollin financiar që ka vendosur Perëndimi në Moskë

Deri të shtunën, Zvicra kishte mbajtur një qëndrim mjaft të kujdesshëm ndaj lëvizjeve të Putinit. Qeveria u kufizua në formulimin e një “liste të zezë që përfshin rreth 300 qytetarë rusë dhe 4 banka”, të cilave u ishte ndaluar të bënin biznes.

Prandaj, teorikisht, oligarkët dhe milionerët e shumtë rusë që kanë llogari në bankat zvicerane mund të kishin vazhduar të vepronin.

Natyrisht, vendi mund të ishte përballur me një rrezik ligjor dhe “reputacion”: bankat që kishin mbajtur një marrëdhënie të rastësishme me klientët rusë, mund të ishin përballur me thirrje, por mbi të gjitha të konsideroheshin si mbështetëse indirekte të regjimit të Putinit.

Me pak fjalë, rrezikohej të riprodhohej një situatë e ngjashme me atë të Luftës së Dytë Botërore, kur Zvicra vazhdonte të kishte marrëdhënie ekonomike me Gjermaninë e Hitlerit.

Fronti i bashkuar i krijuar në Evropë dhe jo vetëm kundër agresorëve të Ukrainës, e ka bindur tani Bernën të rreshtohet, duke shmangur rrezikun e izolimit.

“Neutraliteti nuk do të thotë indiferencë”, deklaroi presidenti Cassis në një mesazh drejtuar kombit të lexuar disa orë pas sulmit rus në Ukrainë.

Rusia ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e një shteti tjetër.

Qëndrimet e partive zvicerane dukej se ndryshonin në qëndrimin që duhej mbajtur ndaj Moskës: Të Gjelbërit kërkonin më shumë ashpërsi, UDC (partia e së djathtës nacionaliste) përkundrazi kërkoi të ruante neutralitetin e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë