Futboll

Sarri kërkon Higuainin e ri te Juventusi, rast i artë për Vrionin

Trajneri i Juventusit, Mauricio Sarri, po studion me kujdes formën dhe karakteristikat e sulmuesve të skuadrës U-23. Ai po kërkon një zëvendësues për argjentinasin Gonzalo Higuain dhe ky është një shans mjaft i mirë për sulmuesin kuqezi, Xhakomo Vrioni, i cili mund të jetë në stolin e Juventusit për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Mund të jetë një verë me ekipin e parë të Juventusit për Vrionin, ish-sulmues i ekipit Shpresa të Shqipërisë dhe i grumbulluar edhe nga Kombëtarja A në një ndeshje. Një shans që duhet shfrytëzuar në maksimum, sepse vjen një herë në jetë. Dëmtimi i Gonzalo Higuainit ka bërë që trajneri Sarri të vihet në lëvizje. Plani i klubit torinez është që 9 lojtarë të Juventusit U-23 t’i bashkohen ekipit të parë që ditën e parë të grumbullimit.

Vrioni gjatë një ndeshje ndaj Italisë. Gazeta Si, 6 qershor 2020

Katër nga këta nëntë lojtarë do të jenë sulmues dhe siç bën me dije “Gazzetta dello Sport”, njëri prej tyre me siguri do të jetë në stol për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë ndaj Milanit më 12 qershor. Dhe nuk do të jetë aspak çudi që të marrë edhe minuta në këtë ndeshje. Vrioni do të fitojë konkurrencën me shokët e repartit për të qenë ai i përzgjedhuri i Sarrit.

Xhakomo Vrioni ka qenë në fillim me kombëtaret e moshave të Italisë, më pas veshi fanellën kuqezi të Shqipërisë U-21, ku luajti 4 ndeshje dhe shënoi 1 gol. Futbollisti shtatlartë, i formuar te Sampdoria, ka luajtur për disa skuadra të Serisë B në Itali, si Pistoieze, Venecia dhe Çitadela, por këtë vit i është bashkuar Juventusit U-23 dhe tashmë ka një mundësi të artë përpara për të qenë pjesë e ekipit të parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë