Qeveria gjermane ka kritikuar vazhdimisht opozitën e Shqipërisë për bojkotin e parlamentit, por Christian Schmidt mendon se edhe qeveria ka përgjegjësi për krizën.
Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në Bundestag, njëri nga komisionet që vendos për çeljen e negociatave me BE-në, ka fajësuar edhe qeverinë për situatën e krijuar në Shqipëri.
“Kjo nuk është normale. Parlamenti jeton nga debati. I takon qeverisë që të garantojë bashkëpunimin parlamentar”, tha ish-ministri gjerman.
Schmidt njoftoi se shumë shpejt do të vizitojë Tiranën, për të parë nga afër situatën politike. “Veçanërisht dua të shoh se sa përfshihet opozita në procedurat parlamentare”, theksoi ai.
Qeveria gjermane ka dënuar vazhdimisht opozitën për diegjen e mandateve, duke theksuar se ky vendim do të ketë implikime në vendimin e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave.

Pas takimit në Berlin me Ministrin e Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth ka paralajmëroi për efektet që mund të ketë kjo krizë politike, e cila mund të ndikojë edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE-së.
“Polarizimi ndërmjet opozitës dhe qeverisë nuk është një fenomen shqiptar, por e konstatojmë me keqardhje edhe në shumë vende të tjera në tranzicion. E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e Parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër Parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar”, deklaron Roth.
Vendimi i Gjermanisë për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit të Bashkimit Europian që do të publikohet më datën 29 maj. Por për të dhënë miratimin përfundimtar në Këshillin e BE-së, më 19 qershor, Gjermanisë do t’i duhet që të marrë aprovimin e Bundestagut.
Gjatë një vizite zyrtare në Berlin, Gent Cakaj kërkoi mbështetjen e deputetëve gjermanë për negociatat. “Vendimi pozitiv i Këshillit në qershor do t’i japë një hov të ri jo vetëm proceseve të reformave brenda vendit, por do të shërbejë më së miri për të krijuar një sinergji të re bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe do të forcojë stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, tha ministri në detyrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje