Partia Demokratike e konsideron ironi të fatit faktin që Edi Rama kërkon të ndërmjetësojë zgjidhjen e krizës së shkaktuar në Bjellorusi pas zgjedhjeve të 9 gushtit, të fituara nga Presidenti Aleksandër Lukashenko, që akuzohet për manipulim.
Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi tregon përvojën e tij si vëzhgues i OSBE-së në zgjedhjet Presidenciale të 2001, kur Lukashenko kërkonte mandatin e tij të dytë. Ai thotë se nga ajo që pa në terren, manipulimi ishte i trashë dhe brutal dhe as krahasohej, sipas tij, me manipulimet e sofistikuara në zgjedhjet e po atij viti në Shqipëri.
Ish-deputeti demokrat deklaron se lajmet e këtyre ditëve, duke iu referuar këtu ofertës së Presidencës shqiptare të OSBE-së për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës në Minsk, i kujtuan përvojën e thuajse dy dekadave më parë.
“Asokohe Perëndimi kishte dominancë në OSBE dhe nuk i kishte hyrë shejtani akoma. Ato ditë pamë manipulime aq të trasha sa që dukeshin brutale dhe foshnjarake. Krahasuar me atë që kisha parë në qershor-gusht të atij viti në Shqipëri, Lukashenko dhe shpura e tij post-sovjetike kishin mungesë të theksuar “fantazie” në manipulimin e zgjedhjeve përballë ustallarëve socialistë në Shqipëri. Ne përfundim Lukashenko u rizgjodh për një mandat të dytë me më shumë se 85 për qind të votave. Nuk e turperonte veten më pak ai”, kujton Bylykbashi.
Përfaqësuesi demokrat kujton se në kthim, më 11 shtator disa orë më vonë kanë ndodhur edhe sulmet në SHBA dhe ironizon presidencën shqiptare të OSBE-së.
“Në kthim me disa kolege të huaj diskutonim për manipulimet që kishim parë. Duke qeshur hidhur u thashë: “Këto që pamë ishin si ushtrime për nivel kopshti, manipulime krejt të trasha. Duhej të vinit në Shqipëri në qershor të shihnit manualin me titull “Si të manipulosh zgjedhjet”. Atë ditë ishte 11 shtator 2001. Pak orë më vonë, rrëzimi i dy kullave binjake në Nju Jork do të ndryshonte botën. E ku e imagjinoja dot unë atë ditë që bota do të ndryshonte aq sa vetë ustai i manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri do të udhëhiqte OSBE-në, do të jepte bekimin për raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve të manipuluara bjelloruse dhe madje do të guxonte të ndërmjetësonte zgjidhjen e krizës pas rrahjes brutale të protestuesve”, mbyll reagimin e tij ish-deputeti demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje