Rend dhe Ligj

Sekuestrohet pasuria 3.7 mln euro e dy vëllezërve me të shkuar kriminale

Policia e Tiranës ka sekuestruar pasurinë e dy vëllezërve nga Tirana të përfituar nga veprimtari kriminale.

Mësohet se është sekuestruar pasuria 3.7 milionë euro e vëllezërve Shkëlzen Hoxha dhe Edmond Hoxha.

Policia iu ka sekuestruar vëllezërve të dënuar në Belgjikë për vepra të rënda kriminale 4 apartamente në Tiranë, 2 apartamente në Sarandë, 1 ambient biznesi trekatësh në Laprakë; 1 njësi tregtare, 1 palestër, 7 garazhe dhe dy aktivitete biznesi në Tiranë; 4 automjete BMW X5 dhe llogari bankare në euro, usd dhe lekë dhe gjendjen aktuale në këto llogari në tri banka të nivelit të dytë.

Siç njofton policia, Shkëlzen Hoxha ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka kryer një vrasje para disa vitesh. Në vitin 2009 të dy vëllezërit Shkëlzen e Edmond Hoxha dhe 4 shtetas të tjerë janë arrestuar nga Policia Gjyqësore Federale në Gent, Belgjikë, si pjesëtarë të një grupi kriminal, për veprat penale “Trafikimi i grave për prostitucion” dhe “Substancat narkotike”.

Edmond Hoxha ka rekorde kriminale në shtetin e Belgjikës, ku ka qenë i përfshirë në hetime nga Prokuroria e Gentit/Belgjikë në dosjen “GIRANA” të vitit 2008, për veprat penale “Trafikim i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimi për prostitucion” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Në këtë dosje Edmond Hoxha ka qenë i dyshuari kryesor dhe është arrestuar në Belgjikë, më 2 shkurt 2009. Gjithashtu rezulton se nga viti 2002 deri në vitin 2009, ka qenë i burgosur në Belgjikë, për veprën penale “Trafikim dhe shfrytëzim i prostitucionit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë