“Sarbatori” i Brazilit për talente në futboll është gjithmonë plot. Një burim i pashtershëm talentesh, që furnizon gjithë skuadrat europiane me lojtarë. Edhe në muajt e fundit ka pasur zbulime interesante dhe pas pak kohësh emrat që do të shohim më poshtë do të jenë në qendër të merkatos. Shume klube në Brazil, në këtë fazë të parë të sezonit u japin besim atyre lojtarëve që kanë spikatur me të rinjtë, që ata të tregojnë se janë në lartësinë e duhur për ekipin e parë. Si kurrë më parë, në këto pak muaj të 2019-ës, ku luan kampionatet e shteteve para atij kombëtar, kanë shpërthyer talente që duhen marrë në konsideratë. Ju njohim me disa prej tyre:
Alerrandro – Alerrandro Barra Mansa Realino de Souza, i datëlindjes 12-1-2000, është sulmues i Atletiko Mineiro. Nga fillimi i sezonit ka luajtur në 13 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 9 gola. Ai ka hyrë në sektorin e të rinjve të Atletiko Mineiro kur ishte 14 vjeç dhe më pas ka ngjitur gjithë shkallët deri në ekipin e parë. Ka luajtur edhe me Brazilin U-17.

Antoni – Antoni Matheus dos Santos, i datëlindjes 24-2-2000, sulmues i San Paolos. Sapo ka debutuar, ka marrë gjithë vëmendjen, sepse ai ishte heroi i të ashtuquajturës “Copinha”, Kupës Sao Paolo Junior, turneut kombëtar të të rinjve, që u luajt në janar. Ka kontratë deri më 30 qershor 2023. Talenti i tij i jashtëzakonshëm duhet vetëm të disiplinohet.
Gabriel Martineli – Gabriel Teodoro Martineli Silva, i datëlindjes 18-6-2001, sulmues i Ituanos. Ndoshta mes të rinjve që po bien në sy në Brazil, është ai që ka shanset më të mëdha për të bërë karrierë. Në kampionatin paulista, me një skuadër të vogël si Ituano, ka shënuar 6 gola dhe që tani e kërkojnë me ngulm klube të njohura të futbollit europian.

Xhonatan – Xhonatan Silva Vieira, i datëlindjes 3-3-1998, lojtar krahu i Botafogos. Ai ka marrë besimin e trajnerit Ze Rikardo sapo ka shkelur në fushë, për të luajtur si në krahun e majtë, ashtu edhe në të djathtë të mbrojtjes. Ka shënuar dy gola në kampionatin karioka dhe po tregon kualitet si në fazën mbrojtëse të lojës, ashtu edhe në atë sulmuese.
Marroni – Marroni da Silva Liberato, i datëlindjes 5-2-1999, sulmues i Vasko da Gamës. Luan si sulmues, por edhe si trekuartist. Në 2018-ën ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit brazilian për U-20. Prej fillimit të vitit 2019 luan titullar i ekipit të parë, duke bërë për vete tifozët me një dygolësh kundër Volta Redonda. Ka realizuar 5 gola në vitin 2019.

Matheus Matias – Matheus Matias Ferreira, i datëlindjes 26-7-1998, sulmues i Çeara. Nuk kishte hapësira te Korinthiansi, klub që ka kartonin e tij. Pranoi të shkojë në huazim te Çeara, që shpëtoi për mrekulli nga rënia sezonin e kaluar. Ka shënuar 2 gola në 6 ndeshje dhe është në rritje të vazhdueshme, sidomos në anën teknike.
Maksuell – Maksuell Sousa de Lima, i datëlindjes 11-2-1995, mesfushor i Resendes. Një përjashtim, sepse është më “i vjetri” në këtë listë. Me një ekip të vogël si Resende, ka shënuar 7 gola në 14 ndeshje, edhe pse është një lojtar krahu dhe jo një sulmues i pastër. Tani është gati të shkojë në një skuadër të madhe.

Mikael – Mikael Riçard Delgado de Oliveira, i datëlindjes 12-3-1996, sulmues i Goias. Një lojtar shtatshkurtër, 1.66 m i gjatë, por është mjaft dinamik dhe në këtë drejtim nuk ka rivalë. Ka shënuar 5 gola në kampionat dhe ka një klauzolë prej rreth 7 milionë eurosh për zgjidhjen e parakohshme të kontratës. Janë disa klubet, që po e ndjekin me interes këtë futbollist.
Nonato – Gustavo Nonato Santana, i datëlindjes 3-3-1998, mesfushor i Internacional Porto Alegre. Lojtari i përkëdhelur i trajnerit Odair Helman, i aktivizuar si titullar në këtë pjesë të parë të vitit dhe loja e tij ka tërhequr vëmendjen, pavarësisht kartonit të kuq në ndeshjen ndaj Gremios. Që kur ai po luan titullar, Internacionali ka fituar 4 ndeshje dhe ka humbur vetëm 1.

Pepe’ – Eduardo Gabriel Akuino Kosa, i datëlindjes 24-2-1997, sulmues i Gremios. Renato Gauço, trajneri i Gremios, që në fillim të këtij viti ka vendosur të besojë tek ai dhe rezultati është mbresëlënës. Autor i 4 golave në 6 ndeshjet e deritanishme. Mund të luajë si sulmues anësor në të dy krahët.

Ronaldo – Ronaldo da Silva Souza, i datëlindjes 23-10-1996, lojtar krahu i Flamengos. Me emrin që mban, të tërheq vëmendjen menjëherë, por për të mos krijuar keqkuptime, ka vendosur të luajë si mbrojtës i djathtë. Klubi po mendonte ta huazonte në janar, por në fund e mbajti dhe trajneri Abel Braga vendosi ta aktivizojë si titullar. Dhe ka bërë shumë mirë, pasi ai po shkëlqen me lojën e tij.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje