Sevilja triumfoi në finalen e Ligës së Europës, për herë të 6-të të histori. Një provë e madhe force e spanjollëve që mundën 3-2 Interin, me 2 gola të De Jong dhe autogolin e Lukakut. Në festën e madhe të skuadrës së trajnerit Lopetegui pati një moment të veçantë, kur trofeu iu dedikua edhe atyre që nuk janë më, dy ish-futbollistëve të ndarë nga jeta, Puerta dhe Rejes. Ky i fundit, ish-kapiten i skuadrës, humbi jetën tragjikisht në 2019-ën në një aksident automobilistik.
Me anë të profileve në rrjetet sociale, klubi publikoi dedikime speciale për Puertën dhe Rejesin, ndërsa dedikimet e lojtarëve të Seviljes erdhën nga fusha. Ata kishin veshur një fanellë të veçantë për Antonio Puertën, i ndarë nga jeta në vitin 2007 për shkak të një ataku në zemër që pësoi në fushë, dhe për Zhoze Antonio Rejesin, i cili ndërroi jetë në një aksident rrugor në 2019-ën. Të dy këta lojtarë janë nderuar me këtë fanellë me portretet e tyre.
Një gjest për t’u vlerësuar nga ana e klubit spanjoll, që ua ka dedikuar trofeun e 6-të të Ligës së Europës ish-futbollistëve andaluzianë. Një mesazh i veçantë ishte ai në Tuiter për Rejesin, ku klubi shkruante: “Reyes de Europa“, që do të thotë “Mbret i Europës”, por duke iu referuar qartësisht ish-sulmuesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje