Nga Nevila Perndoj – Ai nuk i ngjan portretit politik tipik të një zyrtari që PD rëndom ka brumosur ndër vite.
Prej gjashtë vitesh në krye të FRPD, Belind Këlliçi ka kultivuar bindjen se forumet rinore duhet të zhvillojnë mendimin politik dhe kulturën e debatit.
Thotë se është rritur politikisht me kalimin e viteve.
Ai kandidon i 10-i në listën e kandidatëve për deputet të “PD-AN” në Tiranë.
Mbulon katër zona të Tiranës jo pak problematike, por premtimet i ka “me këmbë në tokë”
“Sfida ime është t’i ndërtojë Unazës së Re një shkollë, një kopësht, një çerdhe, një qendër shëndetësore. Të tërheq investime të huaja në zonën e Kombinatit, që të fuqizohen qytetarët nëpërmjet punësimit. Sfida ime është që Vaqarri dhe Kashari të kenë ekonomi prodhuese; t’u sigurojë treg për shitjen e produkteve dhe t’i kërkojë qeverisë Basha subvencione për fermerët e zonës”, thotë ai në një intervistë për Gazetasi.al.
Belind Këlliçi kandidon për herë të parë dhe siç shprehet vetë ai, askush nuk e ngarkon për të kaluarën
“I ftoj qytetarët të dënojnë me votë këdo që koha e ka demaskuar si mashtrues. Unë nuk do të rresht së kërkuari investime për zonat ku kandidoj, si në opozitë dhe pas 25 prillit në qeverisje”.
Është i mendimit se asgjë nuk mund të bëhet për të rinjtë pa i përfshirë ata në vendimmarrje.
Sepse në fund të fundit, Shqipëria, sipas tij, janë ata…
Z. Këlliçi jeni zgjedhur kryetar i FRPD qysh prej vitit 2015. Çfarë ka ndryshuar në këtë forum me drejtimin tuaj? Sa është rritur numri i të rinjve në këtë forum…? Sa po e gjen veten një i ri në PD?
Pas ripërtëritjes së strukturave të forumit dhe drejtuesve në çdo degë në të gjithë vendin, me një proces model ku u zgjodhën me parimin “një anëtar, një vote” 60 kryetarë të rinj të FRPD në rrethe, u krijua Këshilli Kombëtar dhe Kryesia e FRPD, ne u anëtarësuam me të drejta të plota në EDS – Studentët Demokratë Europianë, që është forumi rinor studentor i Partisë Popullore Europiane.
Përkundër përceptimit se partisë që kalon në opozitë i largohen mbështetësit, FRPD pati prurje si në aspektin numëror dhe atë cilësor. FRPD është struktura më e madhe pas PD, prandaj përpos lidershipit kërkohej bashkërendim, frymë ekipi dhe energji të reja, të cilat nuk munguan. I çmoj pa masë të rinjtë që nuk rendin pas qerres së pushtetit, por e nisin nga opozitarizmi, duke ngjitur me ambicie shkallët një e nga një. Forumi ynë nuk ka të katapultuar. Ka të rinj të diplomuar, studentë, maturantë, që përpos angazhimeve personale, shpenzojnë kohë për të ndërmarrë nisma dhe aksione opozitare.
Jam përpjekur të krijoj hapësira të mjaftueshme për këdo që kontribuon vullnetarisht. Gjithëpërfshirja është kryefjalë në FRPD. FRPD është një shkollë që kultivon mendimin ndryshe, mendimin kritik dhe reagimin ndaj padrejtësive. Forumet rinore duhet të zhvillojnë mendimin politik dhe kulturën e debatit.
Çfarë ka ndryshuar tek Belind Këlliçi nga gjashtë vjet më parë?
Mund të them se jam rritur politikisht. Sot që flasim jam caktuar drejtues politik në 4 zona të Tiranës, çka më rrit përgjegjësitë por njëherazi edhe peshën politike. Pas 6 vitesh mendoj se e njoh shumë më mirë PD, elektoratin dhe simpatizantët e saj. Kam krijuar kontakte njerëzore me shumë simpatizantë dhe drejtues të saj, nga takimet ndër vite në çdo qytet të Shqipërisë. Një shprehje thotë “Ndryshimi është e vetmja gjë konstante”. Në fillim nuk je i vetëdijshëm për ndryshimet tek vetja. Më pas kupton sa përvojë e pasur është të drejtosh një strukturë mijërash, që nuk janë numra, por asete, karaktere dhe kontribute të ndryshme. Është një rrugëtim i bukur pavarësisht vështirësive.
Jeni në krye të FRPD prej 6 vitesh por Lulzim Basha vetëm këto zgjedhje ju besoi garën për mandatin e deputetit, një sfidë jo e vogël duke qenë se vetë ju drejtoni 4 zona të Tiranës të rëndësishme, ku përballë në garë keni edhe ministra aktuale. Pse një banor i këtyre zonave duhet të votojë për numrin 10 pra për emrin tuaj në zgjedhjet e 25 prillit? Ku dalloni ju p.sh nga Belinda Balluku, Plarent Ndreca apo Toni Gogu që i keni përditë përballë në fushatë?
Jam angazhuar në fushata zgjedhore fillimisht si anëtar i thjeshtë dhe tani si drejtues. Në këtë fushatë, sfida është edhe personale, duke qenë se jam njëri nga kandidatët e PD në qarkun Tiranë. Padyshim që kjo do të motivonte këdo dyfish. Përballë nuk kam ministren Balluku si njeri politik, kam ministrinë që ajo drejton, të gjitha burimet financiare dhe njerëzore që Balluku ka vendosur në fushatë për qëllimet e saj elektorale. Përdorimi i administratës publike dhe i parave të taksapaguesve për fushatë, është i njohur. Mjafton të shikoni asfaltin elektoral që hidhet përditë me bekimet e pastorit Gogu. Gropat që mbushen me dhe e zhavorr për të krijuar perceptimin e rremë se puna vazhdon. A mund të bësh në 30 ditë çka nuk ke bërë në 8 vjet? Është e pamundur. Shtrohen rrugica me asfalt pa bërë kanalizimet nëntokësore, sepse koha nuk pret, zgjedhjet po afrojnë. Kanë qenë qytetarët që i kanë denoncuar dhe jo pak herë i kanë ndaluar punimet. Jetojmë në vitin 2021 dhe askush nuk pranon t’i fyhet inteligjenca, t’i hidhet hi syve. Unë jam një pjesë e një ekipi që shtron një alternativë zhvillimore, një program që synon të integrojë këto zona në jetën ekonomike të kryeqytetit, duke investuar në infrastrukturën jetike. Sfida ime është t’i ndërtojë Unazës së Re një shkollë, një kopësht, një çerdhe, një qendër shëndetësore. Të tërheq investime të huaja në zonën e Kombinatit, që të fuqizohen qytetarët nëpërmjet punësimit. Sfida ime është që Vaqarri dhe Kashari të kenë ekonomi prodhuese; t’u sigurojë treg për shitjen e produkteve dhe t’i kërkojë qeverisë Basha subvencione për fermerët e zonës. Nëse shkoni në fshatin Maknor, do të shihni se e vetmja rrugë e shtruar dhe ndriçuar është ajo ku banon ish prefekti Gogu. Këtë model politik unë e neveris dhe i ftoj qytetarët ta refuzojnë me votë.
A keni mundur të tërhiqni të rinjtë në këtë fushatë dhe si? P.sh, çfarë i thoni një të riu që kërkon të largohet nga ky vend?
Si drejtues i FRPD, kam mbështetjen e shumë të rinjve. Kauza ime janë moshatarët e mi dhe ata më të rinj. Unë e njoh gjuhën e tyre dhe shqetësimet me të cilat përballen çdo ditë.
Asgjë nuk mund të bëhet për të rinjtë pa përfshirë të rinjtë në vendimmarrje. Fushata ime ka për protagonistë të rinjtë. Unë synoj t’i përfaqësoj në parlament ku mund të flas në emrin e tyre.
Për herë të parë në këto 8 vite, të larguarit nga Shqipëria janë të miturit, që kërkojnë azil për t’i shpëtuar qeverisë së tyre. Largimi është i imponuar nga rrethanat ekonomike. Kryeministri i quan të rinjtë “dembelë dhe joprofesionistë”. Kjo është qasja e qeverisë ndaj problemit, të bëjë me gisht ata që largohen. Nuk di të ketë qeveri në Europë që organizon panaire për punësim jashtë shtetit të saj. Nuk di të ketë kryeministër europian që inkurajon shfrytëzuesit e varfërisë të vijnë në Shqipëri se këtu nuk u hyn gjemb në këmbë ngaqë s’ka sindikata. Një i thënçin i majtë që mburret se vendi i tij nuk ka sindikata. Nuk njoh një kryeministër normal që i kërkon fasonëve të punësojnë krah pune të huaj se shqiptarët janë përtacë dhe merren me thashetheme. Një politikan që përgojon popullin e tij, vetëm këtë më kanë parë sytë. Prandaj të rinjve u kërkoj të largojnë kryeministrin që i largon dhe i fyen. I kërkoj të rinjve mos të kërkojnë shpresë dyerve të botës, sepse shpresa e vetme e këtij vendi janë ata vetë. Shqipëria janë ata, jo Rama.
Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e PD në raport me PS-në?
PD është parti e themeluar nga studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, nga etja për liri dhe demokraci. Motoja e saj ka qenë dhe mbetet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. PD anëtarësoi vendin në KiE, NATO, liberalizoi vizat dhe e rivendosi Shqipërinë në hartën e Europës demokratike. PS është një zgjatim i Partisë së Tollonit dhe radhëve të gjata, e parti-shtetit që jetonte në bllok kur shqiptarët strukeshin në mikroapartamente. PS vjen nga e Majta por s’ka asnjë ideologji të majtë. Sot është streha e oligarkëve, e kompanive fantazmë off-shore, e skemave PPP që të varfërit i varfërojnë dhe pasanikët i pasurojnë.
PS është parti emërimesh, aty për rininë flet Luljeta Bozo dhe Gramoz Ruçi. PD garon me profesionistë, intelektualë, dinjitarë të fushave të ndryshme. PS garon me individë me disa emra, me elementë të krimit të organizuar që s’përfaqësojnë asnjë socialist. PS-së i ka mbetur vetëm stema. Drejtuesit e saj vijnë nga një parti tjetër, G99. Pas 8 vitesh në qeveri, Rama rihyn në garë me stemën e PS. Sloganit “Rilindje” nuk i dëgjohet më emri. Ngjyrat e saj nuk i shohim më në flamujt dhe banderolat e fushatës së Ramës. PD shpalos një program shumëplanësh, ndërsa PS na fton të vazhdojmë kështu. PS thotë ku do i gjeni paratë për të bërë ndryshimin, ndërsa KLSH raporton se “Rilindja” ka shpërdoruar 6.2 miliardë euro nga paratë e shqiptarëve. I vetmi disavantazh, nëse mund ta quajmë kështu garën e pandershme, është se PD nuk di të ngasë një makineri propagande.
Pse një qytetar ende i pavendosur duhet t’ju votojë juve dhe jo PS?
Për të gjitha arsyet e mësipërme. Cilido që kërkon ndryshim, duhet të votojë ndryshimin. Cilido që mendon se tepsia është alternativë, në tepsi do përfundojë. Kryeministri Rama nuk premton asgjë konkrete që prej zgjedhjeve të vitit 2017. Programi i PD është bërë publik prej muajsh. Kanë punuar ekspertë të huaj dhe vendas. Kostoja financiare e tij është sa 1/3 e dëmit 6.2 miliardë euro që ka shkaktuar Rama në 8 vjet. Zgjedhja për të mos votuar ose për të bërë të pavlefshme fletën e votimit, si dhe vota për partiza të krijuara një muaj para zgjedhjeve, është votë për Ramën. Votat e pakënaqësisë duhet t’i japin vendit një drejtim të ri politik.
Sa e ka ndryshuar mënyrën e të bërit fushatë pandemia? Çfarë ka ndryshuar nga fushatat e mëhershme në raport me njerëzit?
Pandemia ka intensifikuar komunikimin në distancë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe shtypit elektronik. Masat kanë kufizuar ndjeshëm takimet masive, por nuk kanë ndalur qytetarët të marrin pjesë aktivisht në aktivitetet elektorale. Mbajtja e maskës dhe qëndrimi distant nga njëri-tjetri mbrojnë më shumë se mijëra kafene ku mblidhen masivisht i madh e i vogël pa maskë. Pandemia është një instrument në duart e Komitetit Qendror të Ekspertëve që kandidojnë për PS, për të justifikuar fushatën e Ramës që i ngjet një ceremonie mortore.
Nëse Rama do kishte prioritet shëndetin e qytetarëve, do të rriste numrin e testimeve dhe nuk do të refuzonte vaksinat përpara fillimit të fushatës. Nëse Rama do të kishte prioritet shëndetin e shqiptarëve, do të anulonte konçensionin Check Up dhe nuk do të lejonte që qytetarët të ngjesheshin si sardele në ato pak autobusa urbanë që qarkullojnë. Përdorimi i vaksinave për fushatë është një mizori politike. Mjafton slogani “Vaksinohu. Voto PS” për të kuptuar kush bën pazar politik me jetën dhe shëndetin.
Cila është problematika kryesore që hasni sot tek njerëzit, çfarë ju kërkojnë dhe sa të besueshëm jeni ju përballë tyre? Fundja (nesër) si deputet, çfarë keni në dorë të zgjidhni nga këto problematika?
Trajtimi i diferencuar që i bëhet qytetarëve për shkak të bindjeve politike. Kështu për legalizimet, për rindërtimin dhe bonuset e qirave, kështu edhe për ndihmën sociale. Në një fshat, dy shtëpi të dëmtuara nga tërmeti përbri njëra-tjetrës, trajtohen ndryshe. Njëra familje merr dëmshpërblim, tjetra jo. Një banesë legalizohet, tjetra jo. Një familjeje i jepet ndihma ekonomike, tjetrës jo. Përça dhe sundo. Qytetarët kërkojnë infrastrukturën minimale për të jetuar normalisht, rrugë, ujë, energji elektrike dhe ndriçim publik. Kërkojnë trajtim të barabartë konform Kushtetutës.
Përsa i përket besueshmërisë, ajo lidhet me karakterin. Unë kandidoj për herë të parë dhe askush nuk më ngarkon dot me përgjegjësi për të kaluarën. I ftoj qytetarët të dënojnë me votë këdo që koha e ka demaskuar si mashtrues. Unë nuk do të rresht së kërkuari investime për zonat ku kandidoj, si në opozitë dhe pas 25 prillit në qeverisje. Unë kërkoj të jetoj në një vend normal, që qeveriset nga një kryeministër normal, dhe mesa kam parë, vendi ynë nuk ka asgjë mangët për të qenë së paku në nivelin e zhvillimit të vendeve të rajonit.
Tani që takimet e tuaja janë të përditshme me njerëzit, a ka ndryshuar diçka në perceptimin tuaj se çfarë duhet të bëjë më mirë edhe vetë PD që të përmirësohet brenda vetes në raport me elektoratin?
Mendoj se ka ndryshuar krejtësisht qasja dhe gjuha e komunikimit. Tanimë flitet me program dhe me ekip. Nuk pati asnjë kontestim për listën e kandidatëve, sepse u reflektuan propozimet e degëve nga Veriu në Jug, për të nxjerrë në fushë një ekip që përfaqëson më të mirën e PD, në terma njerëzorë, profesionalë dhe kontributivë. Nga ana tjetër qëndron një grupim njerëzish që ngulmuan që fleta e votimit të mos kishte emrat e kandidatëve. Kjo sepse janë të vetëdijshëm që në listën e sigurt, garojnë me individë që kanë probleme të hapura me drejtësinë. Përjashto disa profesionistë të nderuar që i përdorin si maskota në krye të listës, çka vjen mbas është një thes me individë të skeduar. Takimet në terren janë thelbi i fushatës. Aty sheh realitetin bruto, sheh Shqipërinë reale, dëgjon nga qytetarët më shumë të vërteta seç dëgjohen nga ekrani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)















Lini një Përgjigje