Sport

Sfidoi regjimin dhe garoi pa shami, zhduket alpinistja iraniane

Gazeta Si – Elnaz Rekabi mori vëmendje për gjestin e protestës kundër regjimit të Teheranit gjatë Lojërave Aziatike. Familjarët dhe miqtë nuk po arrijnë më ta kontaktojnë.

Ditët e fundit ajo u vu në qendër të vëmendjes, sepse refuzoi të mbante hixhabin, shaminë që mbulon kokën, një rregull i vendosur nga regjimi i ajatollah për të gjitha femrat iraniane gjatë kampionatit aziatik të alpinizmit sportiv. Tani për Elnaz Rekabi, që i shkoi shumë afër podit, duke e mbyllur në vend të 4-t, nuk ka më lajme.

Sportistja e datëlindjes 1989, medalje bronzi në Botërorin e Moskës në 2021-shin, guxoi të paraqitej në eventin sportiv, duke sfiduar ligjet e vendit të saj, në valën e revoltës që ka përfshirë Iranin pas vrasjes së Mahsa Amini, e arrestuar nga ‘policia e moralit’ më 13 shtator, sepse një pjesë e flokëve të saj dukej.

E reja ndërroi jetë në komisariat për shkak të torturave, – kështu dyshohet, – ndërsa version zyrtar është se kishte një problem shëndetësor.

Sipas Bbc Persia, celulari dhe dokumentet e identitetit të Rekabi nuk janë më në dhomën e saj të hotelit. Mëngjesin e sotëm nga hoteli është larguar edhe pjesa tjetër e skuadrës iraniane, që duhej të kthehej të mërkurën në atdhe. Familjarët dhe miqtë e alpinistes nuk kanë mundur ta kontaktojnë që dje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë