Politike

Shah politik apo macja me miun?

Kur urdhëronte deputetët dhe ministrat e tij që të mos komentonin vendimin e presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm, kryeministri Edi Rama u shkruante në mesazhin e dërguar porosinë që të mos harrojnë se “politika është shah”.
Loja e shahut Rama-Meta u zhvillua më shumë jashtë syrit të publikut dhe në fund kryeministri në mos e zuri mat presidentin, e detyroi atë që të rreshtohet në mbrojtje.
Tani “loja” po luhet mes mazhorancës dhe opozitës. Askush s’e ka përmendur fjalën “shah” publikisht, por lëvizjet e të dyja kaheve tregojnë një lojë të balancuar deri më tani. Lëvizja e parë e opozitës ishte më 16 shkurt, në protestën e organizuar para Kryeministrisë, ku nuk mungoi dhuna.
Rama u përgjigj me “rokadën” në Vlorë, ku organizoi një antimiting, ndërsa strategjikisht fitues i asaj dite ishte Sandër Lleshaj, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, që ia dolën që të mbajnë larg ambienteve të brendshme të Kryeministrisë protestuesit deri në thirrjen e Lulzim Bashës për mbyllje të protestës.
Lëvizja e opozitës ishte thirrja e një tjetër proteste për të enjten e 21 shkurtit, ditën kur do të duhej të mblidhej Parlamenti në seancë plenare. Mazhoranca u kundërpërgjigj me një stepje taktike. Gramoz Ruçi shtyu seancën, ndërsa opozita vazhdoi me protestën para Parlamentit.
Në këtë ditë, udhëheqësit dhe deputetët opozitarë të shoqëruar nga protestuesit iu drejtuan Kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar zyrtarisht dorëheqjet nga mandatet e ligjvënësit. Për opozitën kjo lëvizje delegjitimon krejtësisht Parlamentin dhe ishte një shah mat për mazhorancën.
Mazhoranca e shpërfilli këtë vendim dhe të premten Edi Rama u drejtohej sërish deputetëve dhe ministrave të tij me një urdhër të ngjashëm si ai i shpërndarë pas mosdekretimit të Sandër Lleshajt në nëntor të 2018-ës. Në mesazhet u kërkonte që të injoronin përplasjet televizive me deputetët e PD-së dhe LSI-së, për sa kohë ata nuk ishin në Parlament.
Beteja u zhvendos në rrjetet sociale dhe në mediat shqiptare në distancë, por nuk munguan as akuzat e kundërakuzat në mediat ndërkombëtare, ku Basha dhe opozita mbronin vendimin e tyre për dorëheqje masive, ndërsa Rama fliste për protesta të një opozite në kaos dhe jo një lëvizje popullore.
Java nisi me pritshmërinë që administrata e Kuvendit të dërgonte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vakancat e krijuara dhe të vinte në lëvizje këtë institucion për nisjen e procedurave për zëvendësimin e deputetëve të larguar.
Rama, nga ana tjetër, mblidhte Kryesinë. Me bindjen se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur, ai kërkonte nga të vetët organizimin e partisë për zgjedhjet e 31 qershorit. Në përfundim të punimeve të Kryesisë, Taulant Balla i qëndroi kësaj linje dhe njoftoi se Parlamenti do të vijonte të enjten me kalimin e projektvendimeve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, depozituar nga këto dy institucione.
Balla kishte të drejtë për rendin e ditës në mbledhjen e Kuvendit, por jo për ditën. Gramoz Ruçi mblodhi konferencën e kryetarëve dhe njoftoi mbledhjen në seancë plenare sot në mëngjes në orën 17:00 me të njëjtin rend dite të seancës së anuluar të së enjtes që kaloi.
Pak minuta më vonë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli me një deklaratë ku konfirmoi se i ishin njoftuar vakancat nga ana e Kuvendit dhe i ishin dorëzuar 57 dorëheqje dhe se do të niste procedurat sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor për zëvendësimin e tyre.
Thirrja për seancë zuri në befasi opozitën. Përmes rrjeteve sociale, Edi Paloka, Gent Strazimiri, Tritan Shehu dhe të tjerë e cilësuan këtë vendim si provë e deligjitimimit të këtij Kuvendi. Lëvizjes së Ramës për të mbledhur Parlamentin, PD iu përgjigj me thirrjen urgjente për protestë në orën 17:00, duke i lënë lëvizjen e radhës në fushën e mazhorancës. Shahu kërkon kohë dhe përqendrim, ndaj të gjitha këto lëvizje mes mazhorancës dhe opozitës brenda pak ditëve, më shumë se shah, e bëjnë këtë lojë “macja me miun”. Se kush është macja, e kush është miu, e vendosin qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë