Futboll

Shansi i fundit për titullin, Kukësi e çon Partizanin në Shkodër

Kukësi shpresonte shumë që në ndeshjen direkte me Partizanin të kishte një diferencë më të vogël se 9 pikë. Por skuadra veriore u mund në Korçë nga Skënderbeu dhe tashmë ka ndryshuar edhe “timonierin” e saj, ku vendin e Armando Cungut të larguar e ka marrë Ramadan Ndreu. Në lojë janë ende shumë pikë dhe te Kukësi ende besojnë.

Fundjavën e ardhshme luhet Kukësi-Partizani dhe kjo ndeshje konsiderohet shansi i fundit për të rihapur garën. Nëse fiton Kukësi, diferenca shkon në 6 pikë dhe më pas gjithçka mund të ndodhë, pasi futbolli është i paparashikueshëm. Dhe për këtë arsye, në kampin kuksian po mendohet që ndeshja me rivalin e titullit të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Këtë sezon Kukësi nuk luan në stadiumin e tij, që po rikonstruktohet, kështu që ndeshjet si pritës i zhvillon në Kamzë dhe në Elbasan. Por të dy stadiumet në fjalë janë afër kryeqytetit dhe kështu favorizohet Partizani, që do të ketë mbështetje më të madhe nga tifozët se Kukësi.

Nga ndeshja e fazës së parë Kukësi-Partizani, e zhvilluar në Elbasan. Mala shënon golin e fitores

Nga klubi verior nuk ka ende një informacion zyrtar në lidhje me këtë çështje. Për momentin mbetet një hipotezë, por me përqindje të madhe për t’u konfirmuar në vazhdim, sepse kuksianët vazhdojnë të insistojnë se mund të fitojnë titullin. Në ndeshjen me Partizanin debuton në stol Ramadan Ndreu, i cili deri tani ishte pjesë e stafit drejtues të Kukësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë