Futboll

Shau me libër shtëpie për biftekun e artë, Bajerni gjobit rëndë Riberi

Polemikat për Frank Riberi nuk mungojnë kurrë. Me polemika u mbyll 2018-a, me polemika ka nisur edhe 2019-a. Futbollisti francez ka publikuar në rrjetet sociale një video, ku ai shfaqet duke ngrënë një biftek të larë në ar në një restorant në Emiratet Arabe. “Nuk mund të fillosh vitin më mirë”, shkruante Riberi në atë postim, që solli reagimin e ashpër të ndjekësve. Por edhe më i ashpër ishte reagimi i futbollistit, me një fjalor të papranueshëm për Bajernin, që i ka vënë një gjobë të majme.

Riberi ka dalë kundër atyre që i quan ziliqarë, njerëz që urrejnë dhe pseudogazetarë, të cilëve u është drejtuar me fjalë fyese: “Keni lindur nga një vrimë prezervativi, shkoni në të sëmës”, – shkruante pak a shumë lojtari i Bajernit, duke ofenduar nënat, bashkëshortet dhe gjyshet e atyre që e kritikonin.

Riberi duke i hedhur kripë biftekut të tij special

Drejtuesit e Bajernit e konsiderojnë të papranueshëm këtë reagim dhe drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç, ka bërë të ditur masën që ka marrë klubi: “Frank është sulmuar në mënyrë të tmerrshme. Dhe jo vetëm ai, kanë sulmuar edhe bashkëshorten e tij shtatzënë, fëmijët dhe nënën e tij që është në spital. Për këtë arsye ka reaguar keq, për të mbrojtur familjen. Këtu ka të drejtë dhe e mbështes, por për fat të keq ka përdorur fjalë që ne si Bajern nuk mund t’i pranojmë. I kam thënë se ka marrë një gjobë të majme dhe ai e ka pranuar vendimin tonë”. Klubi bavarez ka bërë me dije gjithashtu se Riberi ishte i ftuar në atë darkë dhe nuk ishte ai që paguante.

Francezi po bëhet gjithmonë më shumë protagonist polemikash. Në nëntor, pas humbjes së Bajernit ndaj Borusias, ai sulmoi një gazetar francez, duke e goditur me grusht në fytyrë, pasi ai e fajësonte për golat e pësuar. Vitin e kaluar Riberi i hodhi fanellën trajnerit Ançeloti, kur ky i fundit e zëvendësoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë