Bota

SHBA-BE angazhim së bashku për reformat në Ballkanin Perëndimor

Perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor mbetet një përparësi për Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, ka thënë Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Eyropian, Josep Borrell, pas takimit që ka pasur të mërkurën në Bruksel me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken.

“Ne do të punojmë së bashku, duke shmangur çdo lloj gare midis nesh për të përmirësuar qeverisjen në Ballkanin Perëndimor dhe për nxitur reformat që e bëjnë të mundur integrimin në Bashkimin Europian”, ka thënë Borrell.

Tema të diskutimit ndërmjet zyrtarëve të lartë amerikanë dhe europianë kanë qenë edhe Kina, Irani dhe Rusia. Blinken tha se me zyrtarët europianë ka diskutuar për shqetësimet e përbashkëta lidhur me agresionin e Rusisë, veçanërisht ndaj fqinjëve të saj.

“Ne biseduam për qëllimin tonë të përbashkët për të parandaluar Iranin nga blerja e armëve bërthamore, nevojën urgjente për të adresuar ndryshimin e klimës dhe sfidat që paraqet Kina”, ka thënë Blinken, sipas një deklarate nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë partnerët më të afërt”, ka thënë Blinken.

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në Europë ka për qëllim “të nënvizojnë vendosmërinë” e administratës së presidentit Joe Biden “për të forcuar aleancën transatlantike dhe për të gjallëruar lidhjet me aleatët përmes NATO-s”, ka thënë më herët Departamenti i Shtetit.

Blinken mori pjesë edhe në një takim dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s. Ai ka thënë se rritja ushtarake e Kinës dhe përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Perëndimin janë kërcënime që kërkojnë bashkimin e NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë