Bota

SHBA dhe Koreja e Jugut i përgjigjen Kim Jongut, por një raketë përplaset në tokë

Gazeta Si – Një raketë balistike e Koresë së Jugut u përplas në tokë në Gangneung, në veri-lindje të vendit, gjatë stërvitjeve të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara.

Rrëzimi i saj jo sipas planit ushtarak, ka shkaktuar panik te banorët e qytetit bregdetar, tashmë të tronditur nga testet gjithnjë e më provokuese të raketave të Phenianit.

Shpërthimi i raketës dhe zjarri i mëpasshëm bëri që shumë njerëz të besonin se ishte një sulm i Koresë së Veriut.

Incidenti përfshiu një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi Hyumoo-2. Raketa u rrëzua brenda një baze të Forcave Ajrore në periferi të qytetit.

Ushtria ka bërë të ditur se po heton shkaqet e “fluturimit anormal” të raketës.

Më parë, Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut njoftoi se katër raketa të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë dhe një tjetër raketë Hyumoo-2 ishin lëshuar me sukses gjatë stërvitjeve të përbashkëta në përgjigje të provokimit të Koresë së Veriut.

Pheniani, në fakt, të martën kreu testin e parë balistik në tetë muaj, duke lëshuar një raketë IRBM që udhëtoi rreth 4600 kilometra dhe fluturoi mbi Japoni.

Banorët e Gangneungut mbetën në errësirë për orë të tëra si pasojë e shpërthimit të raketës.

Sipas pamjeve që ata shpërndanë në rrjetet sociale, evidentohej një zjarr i madh nga i cili dilnin shtëllunga tymi.

Lançimi i raketës të martën është i pesti që është kryer nga Koreja Veriore brenda një jave.

Të shtunën, dy raketa kanë rënë në ujërat jashtë zonës ekonomike të Japonisë.

Shumë prej testimeve të Koresë Veriore kryhen në lartësi të mëdha, për të shmangur fluturimet mbi territoret e vendeve fqinje shkruan BBC.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë