Gazeta Si – Dhoma e Përfaqësuesve amerikanë miratoi projektligjin për ndalimin e shitjes së armëve sulmuese në Shtetet e Bashkuara, i cili skadoi në vitin 2004 dhe nuk u rinovua kurrë.
Kryetarja Nancy Pelosi e quajti masën e miratuar me 217 vota pro dhe 213 kundër, një “hap vendimtar në luftën kundër epidemisë vdekjeprurëse të dhunës së armatosur në kombin tonë”.
Vetëm dy republikanë, Brian Fitzpatrick i Pensilvanisë dhe Chris Jacobs i Nju Jorkut, votuan në favor së bashku me demokratët.
Ndërsa pesë demokratë dolën kundër. Masa tani do të shkojë në Senat, ku është e dënuar të dështojë për shkak të kundërshtimit të republikanëve.
Teksti i miratuar nga Dhoma, ka për qëllim “heqjen e këtyre instrumenteve të luftës nga rrugët tona, shpëtimin e jetëve dhe reduktimin e episodeve të dhunës në vend”, – është komenti i presidentit amerikan Joe Biden.
“Armët janë shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në vendin tonë dhe ne duhet të veprojmë: shumica e popullsisë është në favor të veprimeve të tilla dhe unë do të vazhdoj të luftoj që Senati ta votojë këtë ligj dhe të vijë në tavolinën time sa më shpejt të jetë e mundur për ta firmosur”.
Megjithatë, ligji, i cili ndalon shitjen, prodhimin dhe transferimin e armëve sulmuese dhe municioneve me kapacitet të lartë, nuk ka asnjë shans të miratohet nga Senati, ku do të kërkohej mbështetja e 10 republikanëve.
Fitorja në Dhomën e Përfaqësuesve është për demokratët një mënyrë për t’i demonstruar elektoratit përpjekjet për të luftuar dhunën me armë në prag të zgjedhjeve afatmesme në nëntor, pas një sërë masakrash, duke përfshirë atë në shkollën fillore të Uvalde në Teksas, në të cilën vrasësi përdori një pushkë sulmi.
Lobi i fuqishëm amerikan i armëve, Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA), ka sulmuar Shtëpinë e Bardhë pas miratimit të ligjit që çon në prodhimin dhe blerjen e armëve sulmuese, të përdorura në shumë prej masakrave të kryera çdo vit në Shtetet e Bashkuara.
“Një sulm ndaj lirisë dhe të drejtave civile të amerikanëve që i binden ligjit”, thuhet në një postim në Twitter nga NRA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje