Bota

SHBA do të tërheqë pas 20 vitesh trupat nga Afganistani

Presidenti amerikan Joe Biden do të tërheqë të gjitha trupat amerikane nga Afganistani deri në 20-vjetorin e shënimit të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001. Ky vendim mund të rezultojë me dhënien fund të luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin pritet të bëjnë të ditur këtë vendim për aleatët e NATO-s në Bruksel, më 14 prill. Burimet kanë thënë se edhe vetë Biden mund ta bëjë publik këtë vendim.

Më 2001, forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin dhe kanë rrëzuar regjimin e talibanëve, për shkak të strehimit të Al-Kaidës, grupit ekstremist, i cili ka qenë mbrapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane.

Si pasojë e sulmit janë vrarë gati 3,000 persona. Aktualisht në Afganistan janë rreth 2,500 trupa amerikane. Ato mbështeten nga rreth 7,000 trupa të NATO-s.

Në javët e fundit, Biden ka thënë se vështirë se mund të arrihet afati i fundit për tërheqje të trupave, për arsye logjistike. Talibanët kanë kërcënuar se do të rikthejnë sulmet kundër trupave të huaja në Afganistan, nëse ato nuk largohen deri më 1 maj. Ky afat është përcaktuar në marrëveshjen arritur më 2020 në mes të talibanëve dhe administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, për paqe në Afganistan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë