Politike

SHBA i përgjigjet Metës: Reforma nuk është e përsosur, por rrugë tjetër s’ka

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar një ditë pas akuzave të hedhura nga Presidentit Ilir Meta, që deklaroi se kapja e reformës në drejtësi nga Edi Rama është bërë në dijeni të ekspertëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ata amerikanë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të përkushtuara ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar. Në përgjigje të kësaj kërkese, në vitin 2016, Parlamenti miratoi unanimisht ligjet themelore për reformën. Prej atëherë, janë ngritur institucione kyçe dhe zbatimi vazhdon për t’i bërë ato funksionale”, thotë në deklaratën e saj përfaqësia diplomatike e SHBA në Shqipëri.

Ambasada përsërit edhe qëndrimin e shprehur në më shumë se një rast nga Yuri Kim se reforma nuk është përsosur, por rrugë tjetër përveç vazhdimit dhe përmbylljes së saj nuk ka.

“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar”, vijon deklarata.

Deklaratat kundër reformës, SHBA i cilëson si deklarata që synojnë largimin e përqëndrimit dhe të orientimit në këtë drejtim. “Ne nuk duhet të humbasim përqëndrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi”, thotë SHBA.

Reagimi amerikan mbërrin pas deklaratës së bujshme të Presidentit Ilir Meta, që në një intervistë televizive ditën hënë publikoi mesazhin që tha se është i një diplomati të huaj, që sipas Presidentit tregon se emrat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese nuk përcaktoheshin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por nga Kryeministri Edi Rama.

Meta nënkuptoi se në këtë lojë janë përfshirë edhe misionet këshilluese ndërkombëtare, ai i Bashkimit Europian, Euralius dhe ai i SHBA, Opdat. Meta nuk përmendi autorin e mesazhit, por e cilëson atë diplomat korrekt dhe nga përmbajtja e tekstit kuptohet se mesazhi është dërguar gjatë përplasjes për emrin e Arta Vorpsit në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesës së Presidentit Meta që të pezullohej procesi me arsyetimin se nuk ishte radha e tij për të emëruar anëtarin e dytë, por e Kuvendit.

“Mirëmëngjes Beni! Takova kolegët e mi amerikanë dhe të BE dhe folëm më Ramën në telefon. Ekspertët e SHBA dhe BE nuk e mbështesin pozicionin e Presidentit për pezullimin dhe këtë nuk ma thanë në darkë. Ata besojnë që arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues dhe ata do të dalin sot publikisht dhe kemi rënë dakord që të mos i bjerë të fikët Presidentit. Rama megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e Presidentit për nominim për tjetrën dhe Rama nuk do përpiqet të bllokojë këtë”, thuhet në përmbajtjen e mesazhit të publikuar nga Presidenti Meta.

Meta thotë se ky mesazh tregon se kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese nuk filtrohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por nga vetë Edi Rama. Presidenti tha se nuk ka asnjë ndërkombëtar që të mund t’i drejtojë gishtin se po pengon reformën në drejtësi.

“Nuk ka si ta ketë për mua Ambasadorja se në Shqipëri ka dy aktorë politikë reforma. Ka mazhorancën dhe opozitën. Por opozita ka ikur nga Parlamenti, kështu që në Shqipëri ka vetëm një aktor politik, që është Edi Rama. Ka dhe një aktor politik që janë këto dy ambasadat që duhet të përgjigjeshin për paanësinë e kësaj reforme. Nuk ka aktorë të tjerë këtu”, u shpreh ai.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë